Tregjet financiare në përgjithësi u ndikuan në përmasa të kufizuara nga pandemia në vitin 2020, ndërsa viti 2021 solli një kthim të shpejtë në nivelet e para-krizës për shumicën e segmenteve të tregut.

Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit tetor 2021, totali i aktiveve të sektorit bankar arriti në 1.77 trilionë lekë, me rritje vjetore prej 10.8%. Rritja me ritme të larta e depozitave ka mbështetur zmadhimin e mëtejshëm të sektorit, që ka zgjeruar ndërmjetësimin në të gjitha zërat kryesorë të aseteve, përfshi huadhënien.

Mbështetur në të dhënat nga Shoqata Shqiptare e Bankave, portofoli neto i kredisë së sektorit bankar, në fund të vitit 2020 (sipas standardeve IFRS), arriti vlerën e 614 miliardë lekëve, ose rreth 5 miliardë eurove. Me bazë vjetore, rritja e portofolit të kredisë ka arritur në 8.5%. Ky ritëm rritjeje është më i larti që prej vitit 2011. Të gjitha bankat, pa përjashtim, e kanë rritur kreditimin gjatë vitit 2021, pavarësisht se me ritme të ndryshme.

Të dhënat paralele nga Banka e Shqipërisë tregojnë se edhe kredia e re për ekonominë paraqitet në rritje. Në dhjetë muaj, bankat kanë disbursuar rreth 197 miliardë lekë kredi, 5.3% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020.

Vlera e kredisë së re është shumë afër nivelit të vitit 2019, çka dëshmon rimëkëmbje në vijimësi nga efektet e pandemisë. Në rritjen progresive vjetore të kredisë, deri tani i gjithë kontributi ka ardhur nga individët, ku kredia e re është rritur me 39%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Paralelisht me rritjen e kreditimit, zhvillim kyç për vitin 2021 ishte ulja e mëtejshme e raportit të kredive me probleme të sektorit bankar. Në fund të muajit nëntor, ky tregues ra në 6.2%, nga 8.2% në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Niveli i kredive me probleme është më i ulëti i shënuar që prej vitit 2008, kur ky tregues nisi trajektoren rritëse. Muaj pas muaji, statistikat tregojnë se raporti i kredive me probleme po shfaq një rënie të qëndrueshme, pavarësisht shqetësimeve të lidhura me pandeminë që u shfaqën vitin e kaluar.

Në vitin 2020, raporti i kredive me probleme u mbajt nën kontroll falë masave të përkohshme lehtësuese të Bankës së Shqipërisë, siç ishin shtyrja e pagesave, apo ristrukturimi i kredive pa përkeqësuar statusin e huamarrësit. Një qasje të ngjashme ndoqën shumica e bankave qendrore, me shpresën se pasojat e pandemisë do të ishin afatshkurtra. Për shkak të efektit të këtyre masave, pritshmëritë e bankierëve ishin që testi i vërtetë për kreditë me probleme do të ishte viti 2021, sidomos gjysma e dytë e tij.

Disa projeksione fillestare hipotetizonin se raporti i kredive me probleme mund të arrinte deri në 15%. Por, në fakt, gjërat duket se kanë shkuar shumë më mirë se parashikimet fillestare. Përmirësimet në ekonominë reale dhe vijimësia e huadhënies kanë dhënë efekt të dukshëm pozitiv në ecurinë e raportit të kredive me probleme.

Rritja pozitive e portofolit, veç kredidhënies së re, po ndikohet edhe nga faktorë të tjerë, si pakësimi i fshirjes së kredive të humbura, ristrukturimet e aplikuara pas pandemisë, që sollën amortizim më të ngadaltë të portofolit, por edhe nga rritja e peshës së kredisë afatgjatë në portofolin total të huasë.

Sektori bankar shënoi përmirësime të mëtejshme të performancës financiare në tremujorin e tretë të vitit. Sipas të dhënave të publikuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, fitimi i përbashkët i bankave tregtare arriti në 15.8 miliardë lekë, më i larti i regjistruar në dekadën e fundit.

Gjithashtu, për herë të parë në dekadën e fundit, të gjitha bankat e sektorit deri tani raportojnë një rezultat financiar me fitim deri në fund të 9-mujorit. Rritja e fitimeve të sektorit bankar reflekton zgjerimin e mëtejshëm të aktiveve dhe sidomos përmirësimin e huadhënies, por mbi të gjitha, aftësinë për të mbajtur nën kontroll dhe për të ulur më tej raportin e kredive me probleme, pavarësisht goditjes që dha pandemia.

Rënia e kredive me probleme shkurton shpenzimet e bankave për provigjione, që zakonisht japin ndikimin kryesor në luhatjet afatshkurtra të fitimeve të bankave tregtare. Përmirësimi i performancës është reflektuar edhe në treguesit e rentabilitetit. Kthimi mesatar nga kapitali për 9-mujorin 2021 arriti nivelin e 12.45%, nga 9.01% në të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm dhe 10.67% në të njëjtën periudhë të vitit 2019, para fillimit të pandemisë.

Radari.al