Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka pritur në takim homologun kosovar, Rifat Latifin. Në fjalën e saj, Manastirliu ka ndarë disa nga pikat e bashkëpunimit, të cilat kanë nisur të implementohen, por që kërkohet intensifikimi i tyre i mëtejshëm.

“Synojmë forcimin e kapaciteteve dhe shkëmbimin e eksperiencave të përbashkëta, përsa i përket dy Instituteve reciproke të Shëndetit Publik, të kontrolleve dhe inspektimeve në të dy anët e kufirit, për të garantuar që qytetarët, të cilët hyjnë në pikën kufitare, të jenë të gjithë të vaksinuar dhe të disponojnë ato masa të cilat janë të përcaktuara në rregulloret e të dy vendeve”, tha Manastirliu.

Ndërkohë, ministri Latifi u ndal te unifikimi i protokolleve të përbashkëta shëndetësore dhe që bashkëpunimi të jetë në shumë nivele.

“Bashkëpunimi mund të jetë në shumë nivele e një prej atyre është të kemi ligjet përkatëse përafrim ndaj BE, në fushën e Shëndetësisë; krijimin e qendrave ekselente klinike edhe shkencore, për të konkuruar për projekte të SHBA dhe BE bashkë; krijimi i një platforme të përbashkët për edukimin post-diplomik të mjekëve tanë. Edhe unë mendoj që na duhet një grup punues që mban dhe përcjell të gjithë këto pika”, u shpreh Latifi.

Radari.al