Qytetarët grekë kanë mendime të ndryshme për zgjerimn e sferës së influencës dhe shtrirjen e investimeve ekonomike të Kinës në Evropë.

Disa prej tyre e vlerësojnë pozitivisht një gjë të tillë, ndërsa të tjerë shprehin shqetësim. Gazetari i Zërit të Amerikës në Athinë, Laurent Laughlin njofton nga porti i Pireut.

Që kur kompania kineze e transportit “Cosco” mori në kontroll menaxhimin e portit të Pireut, më i madhi në Greqi, kapaciteti në terminalin e kontejnerëve të portit është pesëfishuar dhe po krijohen vende të reja pune. Por disa punëtorë thonë se nuk po i shohin përfitimet.

Pronari grek i anijeve Nicolas Vernicos është një nga ata që e sheh situatën me pozitivitet. Ai thotë se ajo që po ndodh është e mirë për biznesin.

“Investimi që është bërë nga kompania kineze Cosco në kompaninë administruese të portit të Pireut është shumë pozitiv për Greqinë”.

Por Konstantinos Spiropulos, nënkryetar i një sindikate në port, thotë se pjesa më e madhe e investimit të ri ka shkuar në sektorin e kontejnerëve, duke lënë pas sektorin e riparimit të anijeve, ku ai punon.

Ndër shqetësimet e tij: Në sektorin e tij, 200 burra duhet të ndajnë një tualet të vetëm. “Pra, të gjithë djemtë që punojnë në anije si ekuipazh dhe si riparues, duhet të ndajnë këtë tualet dhe të pastrojnë duart – në kushtet e COVID-it.”

Kompania kineze e transportit Cosco tani zotëron 67% të portit. Në vitin 2016, ambasadori kinez në Greqi tha se Pireu ishte një “lidhje kyçe e nismës ‘Një Brez Një Rrugë’”. Ai foli gjithashtu për potencialin e Greqisë për t’u bërë një qendër transporti në këtë pjesë të Mesdheut.

Radari.al