Rehabilitimi dhe ndërtimi i segmentit hekurudhor Tiranë-Durrës-Rinas është masa e vetme në sektorin e transportit, që parashikohet në programin e reformave ekonomike 2022-2024, të nxjerrë për konsultim publik një ditë më parë.  Sipas dokumentit, objektivi kryesor i kësaj reforme strategjike është zhvillimi i sistemit kombëtar të transportit mbi bazën e një lëvizshmërie më të pastër, më të sigurt, më të gjelbër dhe konkurruese, si dhe të përmirësojë ndërlidhjen me Rajonin e Ballkanit Perëndimor në zonën e vetme hekurudhore evropiane dhe sistemin ndërkombëtar të transportit.

Ndërkohë që, masa që propozohet për të arritur këtë qëllim është pikërisht projekti i hekurudhës Tiranë-Durrës-Rinas. Sipas dokumentit, gjatë vitit 2022 do të kryhet rehabilitimi i seksionin kryesor nga Durrësi në Tiranë, si dhe do të nisë ndërtimi i linjës së re hekurudhore deri në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës. Ndërkohë që, në aktivitetet e planifikuara për vitin 2024 thuhet se projekti do të përfundojë në 30 muaj dhe do të ndërlidhet me pikën e ndërrimit të Vorës, me projektin tjetër strategjik, nga Vora në Han të Hotit.

Sipas programit 3-vjeçar projekti ka një kosto totale të vlerësuar prej 90.45 milionë euro. Është Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim që financon veprën me një hua prej 36.87 mln euro, ndërkohë që përveç kësaj kredie Bashkimi Europian ka akorduar një grant prej 35.4 mln euro për realzimin e këtij projekti hekurudhor. Ndërkaq, nga zbatimi i projektit janë mbi 150 shtëpi dhe magazina që do të duhet të shpronësohen, teksa kosto për shpronësimin e tokës arrin në 16 mln euro.

Radari.al