Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar dënoi dhunën e fundjavës së kaluar në Partinë Demokratike të Shqipërisë dhe tha se ajo nuk mun të jetë mjet për marrjen nën kontroll të një partie politike.

Escobar tha për Zërin e Amerikës se mbështetja në protesta në rrugë nuk do të thotë domosdoshmërisht mbështetje e elektoratit dhe rikonfirmoi se ka marrëdhënie të mira me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha. Në intervistën me kolegen Keida Kostreci, zoti Escobar foli edhe për rolin që do të luajë Uashingtoni në bisedimet Kosovë-Serbi, si edhe për shpresat për integrimin evropian të rajonit.

Zëri i Amerikës: Zoti Escobar, situata në selinë e partisë kryesore të opozitës në Shqipëri, Partisë Demokratike u bë e dhunshme fundjavën e kaluar. Çfarë mendimi keni për atë që ndodhi atë ditë dhe në përgjithësi për atë që po ndodh në Partinë Demokratike?

Gabriel Escobar: Mendoj se është për të ardhur keq që dikush do të përdorë dhunën dhe jo kutinë e votimit në një përpjekje për të marrë nën kontroll një parti politike. Dhe ne e dënojmë këtë. Ne jemi të bashkuar me partnerët tanë evropianë në dënimin e (dhunës) dhe shpresojmë që të mos ndodhë më. Gjithashtu u bëjmë thirrje autoriteteve të ndjekin penalisht çdo person që është i përfshirë në dhunë politike.

Zëri i Amerikës: Ju thoni se shpresoni që të mos ndodhë më, por zoti Berisha ka thënë se nuk do të heqë dorë nga përpjekjet e tij…

Gabriel Escobar: Kjo është për të ardhur keq dhe mendoj se qëndrimi ynë për zotin Berisha është tashmë shumë i qartë.

Zëri i Amerikës: A jeni të shqetësuar për fatin e Partisë Demokratike? Ishte partia e parë që u krijua pas rënies së komunizmit, që solli pluralizmin dhe tani ajo është në një pozitë tejet të dobësuar.

Gabriel Escobar: U takon votuesve të përcaktojnë se në ç’pozitë janë partitë politike në Shqipëri. Është për të ardhur keq që megjithëse ne e konsiderojmë Partinë Demokratike një partner të rëndësishëm në Shqipëri, jo gjithkush që pretendon se është anëtar i Partisë Demokratike është një partner i rëndësishëm i yni në këto momente.

Zëri i Amerikës: Para përcaktimit këtë vit nga Departamenti i Shtetit i zotit Berisha si persona non grata, ai ishte praktikisht në pension politikisht. Dhe tani ka kritikë, që thonë se pas këtij përcaktimi ai është kthyer me forcë dhe i mbështetur me energji nga përkrahësit e tij, duke u bërë faktor përsëri. Cili është reagimin juaj ndaj këtyre zërave?

Gabriel Escobar: Para së gjithash, përcaktimi kishte të bënte me korrupsionin. Nuk kishte të bënte me politikën e mbështetësve të tij apo jetën e tij politike. Dhe ne u kemi bërë thirrje autoriteteve ta luftojnë korrupsionin kudo që ta identifikojnë dhe të ndjekin penalisht përgjegjësit. Përsa i përket rikthimit, nuk jam i sigurt se është tamam ashtu. Është e mundur që ai të ketë mbështetës. Por unë do t’u tërhiqja vëmendjen atyre që mendojnë se fakti që ai mund të nxjerrë përkrahës të dhunshëm në rrugë, sinjalizon një lloj mbështetjeje elektorale. Dyshoj që të jetë kështu. Dhe shpresoj që votuesit ta refuzojnë këtë lloj sjelljeje në këto lloj aktivitetesh.

Radari.al