Zëvendës ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar tha se dhuna nuk është mjet për marrjen nën kontroll të një partie politike, teksa dënoi dhunën e fundjavës së kaluar në selinë e Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Më 8 janar, ish-presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha organizoi një protestë pranë selisë së Partisë Demokratike, në përpjekje për të marrë kontrollin e saj. Ai është përjashtuar nga kjo parti, pasi Shtetet e Bashkuara e shpallën atë person non grata, për shkak të përfshirjes në korrupsion të gjerë.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Escobar, i cili njëherësh është i dërguar i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, paralajmëroi se edhe në të ardhmen pritet të ketë sanksione të reja në këtë rajon.

“E kam thënë se nuk më pëlqen të flas për sanksionet në përgjithësi, për shumë arsye, por kryesisht për faktin se nuk është kjo mënyra se si angazhohen Shtetet e Bashkuara në rajon, veçanërisht me Shqipërinë. Kemi aq shumë rrugë pozitive angazhimi dhe do të vazhdojmë t’i përdorim ato. Megjithatë, do të ketë përcaktime të tjera në rajon”, tha Escobar.

Ai tha se shpreson që nuk do të ndodhin më skena si ato të 8 janarit, ku mbështetësit e Sali Berishës tentuan që me forcë të hynin në selinë e PD-së në Tiranë.

“Mendoj se është për të ardhur keq që dikush do të përdorë dhunën dhe jo kutinë e votimit në një përpjekje për të marrë nën kontroll një parti politike. Dhe ne e dënojmë këtë. Ne jemi të bashkuar me partnerët tanë evropianë në dënimin e [dhunës] dhe shpresojmë që të mos ndodhë më. Gjithashtu u bëjmë thirrje autoriteteve të ndjekin penalisht çdo person që është i përfshirë në dhunë politike”, tha Escobar.

Ndërkaq, i pyetur lidhur me mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë, Escobar tha se shpreson që të ketë përparim në dialogun që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Ai tha se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “nuk ka lidhje thjesht me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën, por edhe me kolegët tanë në rajon”.

Escobar tha se gjatë këtij viti, SHBA-ja do të angazhohet intensivisht me palët e përfshira në këtë proces.

Radari.al