Vjen koha kur çdo prind përpiqet në mënyrën më të mirë për ta disiplinuar fëmijën e tij. Pavarësisht nëse keni të bëni me një vogëlush të zëshëm ose një adoleshent të zemëruar, mund të jetë e vështirë ta kontrolloni durimin tuaj. Asnjë prind nuk dëshiron ta gjejë veten në një situatë të tillë, andaj poenta është se të bërtiturat dhe dhuna fizike nuk ndihmojnë kurrë.

Fatmirësisht, ka mënyra të tjera, më efektive dhe njëra prej tyre është disiplina pozitive. Ne u këshilluam me Lusi Kluveerin, profesoren e Universitetit të Oksfordit për punës sociale të fëmijëve dhe familjeve dhe nënë e dy djemve të rinj, për të zbuluar se si qasja mund t’i ndihmojë prindërit të ndërtojnë marrëdhënie pozitive me fëmijët e tyre dhe të mësojnë aftësi si përgjegjësia, bashkëpunimi dhe vetë-disiplinimi.

Nuk ka fëmijë të këqij, por vetëm sjellje të keqe.

Pse disiplina pozitive?

“Në parim prindërit nuk duan t’iu bërtasin ose t’iu godasin fëmijët e tyre. Ne e bëjmë atë sepse jemi të stresuar dhe nuk shohim mënyrë tjetër”, thotë profesor Kluver.

Provat janë të qarta: bërtitja dhe goditja thjesht nuk funksionojnë dhe mund të bëjnë më shumë dëm sesa përfitim në planin afatgjatë. Të bërtiturat dhe goditjet e përsëritura madje mund të ndikojnë negativisht në tërë jetën e një fëmije. Vazhdimi i “stresit toksik” mund të shpijë në një mori rezultatesh negative si gjasa më të mëdha të braktisjes së shkollës, depresion, përdorim të drogës, vetëvrasje dhe sëmundje të zemrës.

“Kjo është si të thuash: ky është ilaçi, por nuk do t’ju ndihmojë dhe do t’ju bëjë të sëmureni”, thotë profesor Kluver. “Kur e dimë që diçka nuk funksionon, kjo është një arsye mjaft e mirë për të kërkuar një qasje tjetër.”

Në vend se të ndëshkohet fëmija se çfarë nuk duhet të bëhet, qasja e disiplinës pozitive vë theksin në zhvillimin e një marrëdhënie të shëndetshme me fëmijën tuaj dhe vendosjen e pritjeve rreth sjelljes. Lajmi i mirë për çdo prind është se funksionon dhe kjo është mënyra se si mund të filloni ta zbatoni atë në praktikë:


1. Planifikoni kohë 1 me 1

Koha e kaluar një me një është e rëndësishme për ndërtimin e çdo marrëdhënie të mirë, e aq më tepër me fëmijët tuaj. “Ato mund të jenë 20 minuta në ditë, ose edhe 5 minuta. Ju mund ta kombinoni atë me diçka si larja e enëve së bashku, derisa këndoni një këngë ose bisedoni ndërsa jeni duke e bërë larjen”, thotë profesori Kluver. “Ajo që është me të vërtetë e rëndësishme është që të përqendroheni te fëmija juaj. Pra, e fikni televizorin, fikni telefonin, kaloni në nivelin e tyre dhe ngelni ju dhe ata.”


2. Lavdëroni momentet pozitive

Si prindër ne shpesh përqendrohemi në sjelljen e keqe të fëmijëve tanë dhe ua tërheqim vërejtjen. Fëmijët mund ta lexojnë këtë si një mënyrë për të tërhequr vëmendjen tuaj, duke vazhduar me sjelljen e dobët, në vend që ta ndalojnë atë.

Fëmijët lulëzojnë nga lëvdatat. Kjo i bën ata të ndjehen të dashur dhe të veçantë. “Kini kujdes, t’i lavdëroni kur ata bëjnë diçka të mirë, edhe nëse ajo gjë është e thjesht, bie fjala fëmija luan për pesë minuta me vëllain ose motrën e vet,” rekomandon profesor Kluveri. “Kjo mund të inkurajojë sjellje të mirë dhe ta zvogëlojë nevojën për disiplinë.”

3. Caktoni pritje të qarta

“T’i thuash fëmijës tënd saktësisht atë që dëshironi ta bëjë është shumë më efektive sesa t’i thuash çfarë të mos bëjë”, thotë profesor Kluveri. “Kur i kërkoni një fëmije të mos bëjë rrëmujë, ose të jetë i mirë, ata nuk e kuptojnë domosdoshmërisht atë që u kërkohet të bëjnë.” Udhëzimet e qarta si “të lutemi, merri të gjitha lodrat tuaja dhe futi në kuti” vendosin një pritje të qartë dhe i rrisin gjasat që fëmija ta bëjë atë që ju e kërkoni.

“Mirëpo është e rëndësishme të vendosni pritje reale. Të kërkoni prej tyre të qëndrojnë të heshtur për një ditë të tërë, mund të mos jetë aq e menaxhueshme sesa të kërkoni të rrinë të qetë për 10 minuta kohë derisa bëni ndonjë telefonatë,” thotë profesor Kluver. “Ju e dini për çfarë është i aftë fëmija juaj, por nëse kërkoni të pamundurën, ato do të dështojnë”.


4. Shpërqendroni në mënyrë kreative

Kur fëmija juaj është i vështirë, shpërqendrimi i tij me një aktivitet më pozitiv mund të jetë një strategji e dobishme thotë profesor Kluver. “Kur i shpërqendroni drejt diçkaje tjetër – duke ndryshuar temën, duke prezantuar një lojë, duke i çuar në një dhomë tjetër ose duke shkuar për një shëtitje, ju mund ta devijoni me sukses energjinë e tyre drejt sjelljes pozitive.”

Koha e duhur është gjithashtu thelbësore. Shpërqendrimi vlen gjithashtu me pikasjen kur gjërat të shkojnë keq dhe duhet të merren masa. Të qenit i vetëdijshëm se kur fëmija juaj fillon të bëhet i shqetësuar, nervoz ose i bezdisur, ose kur së bashku me vëllain ose motrën e synojnë të njëjtën lodër, mund të ndihmojë në shmangien e një situate të mundshme para se të ndodh ajo.

5. Përdorni pasoja të qeta

Pjesë e procesit të rritjes është të mësohet, se nëse bën diçka, mund të ndodhë diçka si rezultat i asaj. Nëse për fëmijën tuaj është një proces i thjeshtë, që inkurajon sjellje më të mirë, përderisa i mëson ata për përgjegjësinë.

Jepini fëmijës tuaj një shans për ta bërë gjënë e duhur, duke i shpjeguar pasojat e sjelljes së tij të keqe. Si shembull, nëse doni që fëmija juaj ta ndërpresë shkarravitjen në mure, mund t’i thoni të ndalojë ose përndryshe do t’i jepni fund kohës së tyre të lojës. Kjo u siguron atyre një paralajmërim dhe një mundësi për ta ndryshuar sjelljen e tyre.

Nëse ata nuk ndalen, ndiqni pasojat me qetësi, por pa treguar zemërim, “dhe jepni vetes kredi për këtë – nuk është e lehtë!” shton profesor Kluver.

Nëse ndalen, u jepni shumë lavdërime për këtë, rekomandon profesor Kluveri. “Ajo që je duke bërë është duke krijuar një informacion kthyes pozitiv për fëmijën tuaj. Pasojat e qeta janë treguar të efektshme, që fëmijët të mësojnë se çfarë ndodh, kur ata sillen keq.”

Të qenit i qëndrueshëm është një faktor kryesor i prindërimit pozitiv, prandaj është e rëndësishme ndjekja e pasojave. Në këtë mënyrë ata bëhen realistë. “Ju mund t’ia merrni për një orë telefonin një adoleshenti, por marrja e telefonit për një javë mund të jetë e vështirë të ndiqet.”


Angazhimi me fëmijë më të vegjël

Koha e kaluar një me një mund të jetë argëtuese – dhe është plotësisht falas! “Ju mund t’i kopjoni shprehjet e tyre, ta goditni pjatën me lugë ose të këndoni së bashku”, shton profesor Kluveri. “Ka një hulumtim të mahnitshëm, që tregon se loja me fëmijët tuaj e rrit zhvillimin e trurit të tyre.”


Angazhimi me fëmijë më të mëdhenj

Sikurse fëmijët më të vegjël, adoleshentët kanë nevojë për lëvdata dhe duan të konsiderohen si të mirë. Koha e kaluar një me një është akoma më e rëndësishme për ta. “Atyre iu pëlqen shumë nëse vallëzoni nëpër dhomë me ta ose përfshiheni në një bisedë rreth këngëtarit të tyre të preferuar”, thotë profesor Kluveri. “Ata mund të mos e shfaqin vazhdimisht këtë lumturi, ndonëse herë pas herë do ta shfaqin. Kjo është një mënyrë efektive për ta ndërtuar një marrëdhënie sipas kushteve të tyre.”

Përderisa i vendosni pritjet, “kërkojuni atyre të ndihmojnë në krijimin e disa rregullave”, sugjeron profesor Kluveri. “Uluni me ta dhe përpiquni të bini dakord për gjërat që duhet bërë dhe ato që nuk duhet bërë. Ato gjithashtu mund të ndihmojnë në vendosjen se cilat do të jenë pasojat për sjelljen e papranueshme. Përfshirja e tyre në proces i ndihmon të dinë se ju e kuptoni që po bëhen individë të pavarur.”


Këshilla për prindërit gjatë pandemisë KOVID-19 

Pandemia ka sjellë ndryshime të papritura dhe drastike në jetën e familjeve, ndërsa prindërit janë në epiqendër të kësaj situate. Në vijim janë dhënë disa këshilla, që mund t’iu ndihmojnë prindërve t’i tejkalojnë këto dhe çdo kohë tjetër stresuese:

1. Pauza

Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm për stresin, kur ndiejmë që fëmija ynë është duke qenë i vështirë. Në momente si këto, të jesh i pranishëm dhe të tërhiqesh prapa është një taktikë e thjeshtë dhe e dobishme. Goditni “butonin e pauzës”, siç e quan profesor Kluveri. “Merrni pesë herë frymë thellë, ngadalë dhe me kujdes dhe do të vini re se jeni në gjendje të përgjigjeni në një mënyrë më të qetë dhe më të shqyrtuar. Prindërit anekënd botës thonë se thjesht bërja e asaj pauze është jashtëzakonisht e dobishme.”


2. Një hap prapa

Prindërit shpesh harrojnë të kujdesen për veten e tyre, thotë profesor Kluveri. “Ndani pak kohë për veten tuaj, si bie fjala kur fëmijët janë në gjumë, bëni diçka që ju bën të ndiheni të lumtur dhe të qetë. Me të vërtetë është e vështirë si prind t’i bëni të gjitha gjërat siç duhet, nëse nuk i keni dhënë vetes pushim.”


3. Lavdëroni veten tuaj

Është e lehtë ta harroni punën mahnitëse, që e bëni si prind për çdo ditë, andaj duhet t’i jepni vetes kredi, këshillon profesor Kluveri. “Bie fjala çdo ditë derisa i lani dhëmbët, ndani një moment për të pyetur: “Cila ishte gjëja, që unë sot e kam bërë me të vërtetë mirë me fëmijët e mi?” Thjesht vetëdijesohuni që keni bërë diçka të mrekullueshme.”

“Pavarësisht a jemi në izolim ose jo, ju absolutisht nuk jeni vetëm”, thotë ajo. “Miliona prindër në të gjithë botën po përpiqen dhe ne të gjithë ndonjëherë dështojmë. Pastaj përpiqemi përsëri. Ne do ta do t’ia dalim së bashku.”

Radari.al