Lulzim Basha, u shpreh dje se nëse demokratët që do të mbledhë Berisha më 11 dhjetor mësyjnë në dyert e PD, selia është e përgatitur për çdo situatë. Sot, pas “Foltores” së fundit që Sali Berisha mbjati në Qytet Studenti, ka ardhur dhe reagimi i parë ndaj deklaratës së Bashës.

Drejtoresha e komunikimit të “Foltores”, Floriana Garo është shprehur se Kuvendi i 11 dhjetorit do të nisë në stadiumin “Air Albania” dhe do të përfundojë në selinë e PD. Por sesi do të jetë ky përfundim, ajo nuk dha detaje teksa foli për Ora News.

“Do mbahet në Air Albania, do të nisë rreth në orën 10.00. Janë mbledhur rreth 5200 firma të delegatëve. Delegatët që kanë firmosur të jenë në një zonë krejtësisht të veçuar nga pjesa tjetër e simpatizantëve, anëtarëve dhe të gjithë atyre që duan të jenë prezent. Kuvendi do të nisë në Air Albania dhe do të përfundojë në selinë e PD-së. Duam t’i sigurojmë sa më shumë transparencë medieve dhe anëtarëve”, ka thënë Garo.

Sipas saj, nuk do të ketë më Foltore deri të shtunën e 11 dhjetorit dhe se të gjitha vendimet do të merren në Kuvendin Kombëtar. Pas Kuvendit të thirrur nga Berisha, thA Garo, nuk do të ketë më dy grupime por vetëm një PD.

“Të gjitha vendimet do të merren në Kuvend. Qëllimi ynë është të shkojmë në selinë e PD. Por vendimet do të merren në Kuvend. Ky Kuvend do shprehë vullnetin e demokratëve, vullnetin e anëtarësisë. Anëtarësia po merr në dorë fatin e partisë. Pas 11 dhjetorit nuk do ketë më dy grupime, por do ketë vetëm një Parti Demokratike, që shpreh vullnetin e demokratëve, që shpreh vullnetin a anëtarësie”, ka shtuar ajo.

Radari.al