Rosa me oriz në tavë është një traditë e vjetër shqiptare sidomos në zonat e Myzeqesë. Mishi i rosës preferohet të gatuhet me lëng në furrë. por edhe ky version i recetës është shumë i shijshëm, sidomos kur janë rosa fshati.

PËRBËRËSIT: 1 rosë fshati, 3 kokrra qepë, 2 kokrra domate, 1 lugë gjelle salcë domatesh, 300 g oriz, 600 ml ujë, vaj ulliri, pak gjalpë, pak piper i zi, kripë dhe majdanoz.

PËRGATITJA:  Lajmë rosën, e presim në thela të cilat i vendosim në tavën e lyer me vaj. Sipër thelat i spërkatim me pak kripë dhe gjalpë. Tavën me pjesët e prera të rosës e futim në furrë të nxehur në 220 °C derisa thelat e mishit të marrin një ngjyrë të artë. Ndërkohë presim qepën hollë julienne dhe e kaurdisim në tigan me vaj ulliri. Më pas shtojmë domatet dhe salcën duke i kaurdisur për 4-5 minuta. Në tigan shtojmë masën e ujit derisa të vlojë, gjithashtu kripë dhe piper. Heqim tavën nga furra dhe hedhim lëngun e vluar, orizin duke e hapur në të gjithë tavën. Tavën me oriz e futim përsëri në furrë. Kur tava të fillojë të marri valë ja ulim pak temperaturën ne 180°C. Dhe kur orizi ta ketë thithur të gjithë ujin fikim sobën dhe tavën e lemë në furrë të fikur për 15-20 minuta. Rosë me oriz në tavë është gati, kur shërbehet në pjata sipër shtojmë pak majdanoz të grirë.

Radari.al