Qeveria i është gjunjëzuar lobimit të fabrikave të qumështit dhe shitësve të karburantit dhe, në të kundërt, ka shtuar presionin ndaj fermerëve.

Nga ana tjetër, buxheti i miratuar me 77 vota do të vijojë të rrisë borxhin, me rreth 1 miliard USD në vetëm një vit, dhe të nisë fushatën më të shtrenjtë të koncesioneve prej 1.8 miliardë USD. Në një seancë maratonë, për herë të parë pas shumë kohësh opozita, PD, LSI, por edhe deputeti Braçe, bënë një sërë propozimesh në ndihmë të konsumatorëve dhe veçanërisht bujqësisë. Të gjitha u rrëzuan nga shumica socialiste.

AKCIZA

Qeveria vendosi të ndryshonte akcizën e gazit të lëngshëm. Familjarët e marrin gazin pa akcizë, ndërkohë që gazi për makinat paguan një akcizë prej 8 lekë/litër. Qeveria propozoi akcizë të unifikuar prej 6 lekë/litër. Pas takimeve në komision u arrit në konkluzionin se shtrenjtimi i gazit për familjet dhe prodhuesit do të nisë më datë 1 korrik dhe jo më datë 1 janar.

TVSH PËR BUJQËSINË

Në kohën që fermerët kërkonin lehtësi nga qeveria dhe takonin Kryeministrin në zyrat e Kuvendit, asnjë nga propozimet e Braçes apo deputetëve të opozitës për lehtësimin e fermerëve nuk u mor parasysh. Në të kundërt, Kuvendi, të vetmin ligj që nuk preku, ishte ai i TVSH që u shtrenjton fermerëve imputet dhe i diferencon edhe më thellë me uljen nga 6 për qind në 0 për qind të kompensimit të TVSH. Prodhimet vendase tani janë 20 për qind më të disfavrshme për t’u shitur te grumbulluesit.

GALLATA ME QUMËSHTIN PLUHUR

Qeveria në ndryshimin e taksave kombëtare kishte parashikuar një taksë të re prej 100 lekë/kg për qumështin pluhur. Por habitshëm, propozimi nga godina e Kryeministrisë në godinën e Kuvendit u ndryshua dhe nga pagesa e taksës për qumështin pluhur u përjashtuan fabrikat e qumështit. Dihet botërisht se qumështi pluhur përdoret pikërisht për të zëvendësuar qumështin e prodhuar nga baxhot vendase. Por, si u përjashtuan fabrikat. Thjesht me një nen në ligjin, i cili vendoste taksën e qumështit pluhur. Kur u propozua taksa, neni nuk ekzistonte, pas lobimit, qeveria shtoi: “përjashtohen fabrikat”.

AKCIZA E JAHTEVE

E ndërsa qeveria e PS-së kërkoi të fuste në regjim taksimin për karburantin që përdorin jahtet, deputetët e PS-së mendojnë që qeveria e ka ekzagjeruar. Qeveria vendosi “Taksë për karburantin nga zonat e lira doganore dhe magazinat doganore, që përdoret për furnizimin e mjeteve lundruese për qëllime turistike dhe argëtim, në vlerën 65 lekë/litri”. Por deputetët e PS, pra, po të maxhorancës, menduan, pas lobimeve, që qeveria e ka ekzagjeruar me taksën. “Anëtarët e komisionit shprehën dakordësinë për vendosjen e kësaj takse, por duke marrë në konsideratë edhe shqetësimet e grupeve të interesit, u vlerësua ulja e saj nga 65 lekë/litër në 40 lekë/ litër”.

BUXHETI

Dje, Kuvendi miratoi edhe buxhetin e vitit 2022. Edhe pse trumbetohet si buxheti më i madh, në vitin 2022 qeveria parashikon të mbledhë me të njëjtat taksa më pak para sesa në vitin 2021. Të ardhurat nga 19.8 për qind të GDP në vitin 2021 do të zbresin në 19.3 për qind në vitin 2022, edhe pse vetëm nga paketa e re fiskale rriten me rreth 50 milionë euro të ardhurat. Në buxhet parashikohen rreth 1.19 miliardë USD investime, nga të cilat 1 miliard USD janë para që do merren borxh, shifër rekord.

Radari.al