Erion Braçe propozoi një sërë amendimesh që shënjestronin disa taksa në paketën fiskale, që nga subvencionimi e përjashtimi nga skema e TVSh-së, te akciza, tatimit mbi të ardhurat dhe taksat kombëtare.

Amendimi i parë lidhej me subvencionimin e TVSh-së për fermerët. Në paketën fiskale të re hiqet rimbursimi me 6 për qind i kësaj takse për bujqit dhe qeveria thotë se këto para do t’u kalojnë drejtpërdrejt fermerëve në formën e mbështetjes me fonde e grante.

Por, Braçe kërkon që jo vetëm të mos hiqet, por nga 6 për qind që është aktualisht të barazohet me TVSh-në në blerje, pra 20 për qind. Po këtu, ish-zv.Kryeministri kërkoi heqjen e të gjitha lehtësive për hotelet me 5 yje. Aktualisht, investitorët në këto struktura janë të përjashtuar nga taksa e infrastrukturës, taksa e lejes së ndërtimit, nga TVSh në ndërtim, ndërsa përfitojnë edhe nga leja për ushtrimin e aktivitetit në lojërat e fatit.

Më tej, propozimi tjetër i Braçes për TVSh-në ka lidhje me heqjen e favorit për furnizimin me tokë për qëllime ndërtimi dhe furnizimin me ndërtesë në shitjen e parë në zonat rezidenciale jashtë zonave urbane dhe në bregdet.

Në lidhje me akcizën, Braçe tha se është koha që të hiqen disa favorizime e përjashtime që janë bërë në këtë taksë ndër vite për prodhuesit e birrës dhe pijet energjike.

“Heqjen e favorit për birrën e prodhuar në sasi deri në 200 mijë hektolitra dhe trajtimin e barabartë në një vlerë akcizë në rritje. Ka 13 vjet ky favorizim. E kuptoj që është bërë për të nxitur prodhimin vendas, por ky favorizim nuk mund të qëndrojë përgjithmonë. Heqjen e favorit për pijet energjike dhe vendosjen nën regjim akcizë për to dhe për pijet me gaz me sheqer të shtuar”, tha ai.

Në lidhje me tatimin mbi të ardhurat, edhe këtu Braçe tha se ka vend për korrigjim, ndërsa propozoi edhe tatim progresiv për të ardhurat nga kapitali.

“Ribërjen e tabelës së tatimit progresiv mbi të ardhurat nga puna dhe llogaritjen e tij nga të ardhurat nga dyshemeja 40 mijë lek, për rrogat nga 40 mijë deri në 200 mijë lekë, se ne këtu e nisim nga 30 mijë lek tatimin. Vendosjen e një afati brenda 6 muajve të parë të vitit për të miratuar një ligj të ri për tatimin mbi të ardhurat për të shtrirë tatimin progresiv mbi të ardhurat nga kapitali”, tha ai.

Te amendimi për taksat kombëtare, Braçe propozon heqjen e përjashtimit nga taksat e qumështit pluhur për fabrikat e përpunimit të qumështit dhe vendosjen e taksës për vajin e palmës dhe përdorimin e tij në prodhimet e bulmetit dhe produktet e tjera.

Amendimet e Erion Braçes rrëzojnë një pjesë të mirë të propozimeve në paketën fiskale, që socialistët e kanë miratuar me forcën e kartonëve në komisionet parlamentare. Aq kundër dolën këto amendime, sa në fund të fjalës Erion Braçe mori duartrokitje nga deputetët e opozitës, por jo nga kolegët e partisë së tij.

Radari.al