Ish-kryeministri Sali Berisha gjatë “Foltores” së mbajtur në Kuçovë e ka  krahasuar Lulzim Bashën me Edi Ramën sa i takon drejtimit të partisë. Berisha tha se ashtu siç veproi Rama kur humbi zgjedhjet parlamentare në 2009 dhe nuk dha dorëheqjen dhe Basha veproi me të njëjtin standard në 2017 dhe 2021.

Ish-kryeministri Berisha nuk i kurseu nga ana tjetër lavdet për kundërshtarin e tij të gjatë në politikë, Fatos Nanon duke thënë se reformoi Partinë Socialiste para se të largohej nga drejtimi i saj në 2005 kur humbi zgjedhjet.

“Vuri në statut për t’u dukur modern kryetari po humbi zgjedhjet jep dorëheqjen. I humbi mirë zgjedhjet e 2009, jo vetëm nuk dha dorëheqje por detyroi anëtarësinë që të votojë që kryetari nuk votohet. Që nga 2009 socialistët nuk kanë parë votë në partinë e tyre”, u shpreh Berisha.

Sipas Berishës, Basha ndoqi të njëjtën rrugën pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të fundit duke manipuluar zgjedhjet brenda partisë duke thënë se pati një pjesëmarrje shumë të ulët të anëtarëve të PD në proces.

“Po PD-ja çfarë pësoi? Në vend që të ndiqte traditën e saj të shkëlqyer të votës së lirë, iu vërsul votës së lirë. Dhe arritëm ne, partia që solli votën të përjashtojmë votën nga vetja jonë. Ju e dini sa demokratë votuan korrikun që kaloi dhe cilat shifra u dhanë. Ai na bëri gazi i dheut, e gjithë botë e mori vesh si u përdhos vota në PD”, shtoi ish-kryeministri.

Radari.al