A e konsideroni veten një person krijues? Apo jeni dikush që thotë gjëra të tilla si: “Nuk kam imagjinatë”, “Unë nuk kam veshë për muzikë”, ose “Nuk mund të vizatoj”? Shpesh këto etiketime që i japim vetes rrjedhin nga besimet kufizuese, të cilat i kemi formuar shumë kohë më parë. Ato madje mund të bazohen tërësisht në diçka që na është thënë nga dikush tjetër – një mësues në shkollë, prindërit tanë, ose ndoshta një punëdhënës.

Po sikur të thoshim se nuk duhet të jesh ‘i talentuar në art’ për të qenë krijues? Në fakt, mendjet tona janë enët e përsosura për frymëzim dhe trupat tanë janë krijuar me mjeshtëri për të manifestuar këto ide në botën fizike.

Kreativiteti na jep lirinë për të luajtur me ato ide, dhe ndërsa krijojmë diçka ne zakonisht jemi në një “gjendje rrjedhëse”. Psikologët pajtohen se një gjendje rrjedhëse rrit kënaqësinë dhe motivimin dhe na lejon të jemi më të pranishëm. Jo vetëm kaq, por përfundimi i një projekti krijues sjell një ndjenjë krenarie dhe arritjeje.

Me këtë në mendje, ja pesë mënyra se si mund t’i kapërceni ato besime kufizuese, në mënyrë që të keni akses në superfuqinë tuaj krijuese, për një jetë më të lumtur dhe më të plotë.

1. Shembini ato blloqe

Blloqet krijuese janë shpesh produkt i besimeve tona kufizuese. Kur vendosim të jemi krijues, kemi frikë nga rezultati, kështu që e bindim veten se as nuk ia vlen të fillojmë! Mund të jemi duke menduar: ‘Po sikur të mos jetë mirë? Po sikur të shkojë keq? A do të më gjykojnë njerëzit?’ Shkruani çdo mendim të padobishëm që shfaqet vazhdimisht, dhe më pas ose vendosni një vijë mes tyre, ose grisini dhe hidhini tutje. Merrni frymë thellë dhe nxirrni frymën ndërsa e bëni këtë. Duhet të ndiheni sikur po e nxirrni jashtë atë që ju pengon.

2. Pranoni se ju jeni një qenie krijuese

Në një fletë letre, shkruani tre fjalë për të përshkruar krijimtarinë. Për shembull, “Kreativiteti është i bukur/i lirë/gëzues.” Tani, në një fletë të dytë letre, zëvendësoni fjalët “Kreativiteti është” me fjalët “Unë jam…” dhe shtoni të njëjtët mbiemra.  Për shembull, ‘unë jam e bukur, jam e lirë, jam e gëzuar.’ Ngjitini këto pohime diku që do t’i shihni rregullisht. Sa më shpesh t’i lexoni, aq më shumë truri juaj do të fillojë të besojë se janë të vërteta.

3. Qetësoni mendjen tuaj

Në jetën moderne, ne jemi të bombarduar me shpërqendrime, qoftë nëpërmjet teknologjisë apo thjesht ritmit të përgjithshëm të shpejtë të jetës sonë të ngarkuar. Është e lehtë ta gjejmë veten të konsumuar nga mendimet tona.

Praktikimi i vetëdijshmërisë është një mënyrë fantastike për të krijuar hapësirë ​​për frymëzim krijues. Nuk jeni të sigurt se ku të filloni? Provoni këtë ushtrim të thjeshtë dëgjimi: mbyllni sytë dhe dëgjoni botën. Nëse mendja juaj përpiqet të mbushet me mendime, thjesht shikojini të ju kalojnë njësoj si retë dhe rikthehuni për të dëgjuar botën. Kjo do të ndihmojë për të krijuar një kanal më të qartë për rrjedhjen e krijimtarisë suaj.

4. Vini re magjinë e universit

Pavarësisht nëse besoni në Zot, Allah, Budën, universin, natyrën ose asgjë fare, dijeni se ka magji rreth e rrotull nesh. Në të vërtetë, kreativiteti është dëshmi e kësaj magjie. Krijimi i diçkaje nga asgjëja, bërë nga imagjinata dhe dëshira juaj – çfarë mund të jetë më shumë magjike se kaq? Nëse po përpiqeni të vini re magjinë dhe po ndiheni të ngecur në vend, provoni mirënjohjen e përditshme. Jini mirënjohës për gjithçka në jetën tuaj që sjell një buzëqeshje në fytyrën tuaj – sado e vogël. Si rezultat, do të ndiheni më të frymëzuar.

5. Bëni atë që ju sjell gëzim, dhe shkoni krijoni!

Tani ju e dini se si të eleminoni besimet tuaja kufizuese dhe të qetësoni mendjen tuaj, shpresojmë që të ndiheni gati për t’u bërë krijues. Ndoshta do të dëshironit të shkruani një poezi, t’i bini një kitare, të kërceni me këngën tuaj të preferuar, të vizatoni një pikturë ose të piqni një kek. Gjëja kryesore është të ndërmerrni veprime dhe të mos shqetësoheni për rezultatin përfundimtar. Ju as nuk duhet ta ndani krijimin tuaj me dikë tjetër – thjesht shijoni procesin dhe argëtohuni! Përdorimi i rregullt i superfuqisë suaj krijuese jo vetëm që do të përmirësojë mirëqenien tuaj, por gjithashtu do të forcojë lidhjen tuaj me të gjithë qeniet e tjera njerëzore që jetojnë në krijimin më të bukur nga të gjithë: planetin Tokë.

Radari.al