Vijon të mbetet mister emri i zv/kryeministrit që përmendet në dosjen e Antimafies Italiane. Pak ditë më parë pati një konflikt me deputetin Ervin Salianji dhe Erion Braçe ndërkohë që është hapur si çështje edhe dje në Komisionin e Sigurisë. Ishte deputeti i Partisë Demokratike, Ferdinand Xhaferaj, i cili pati një përplasje me kreun e komisionit, Nasip Naço. Xhaferaj kërkoi transparencë për emrin e zv/kryeministrit që është përfshirë në përgjimet me Rezart Taçin. Sipas deputetit nuk duhet bërë më lojëra fjalësh me këtë çështje, por duhet bërë i ditur emri konkret. “Doja të pyesja kryetarin e Komisionit të Sigurisë: Kush është emri i zv/kryeministrit që akuzohet se ka dalë në përgjime me Rezart Taçin, sepse Braçe dhe Ahmetaj bëjnë lojëra fjalës jo jam unë jo s’jam unë, doja të dija a ka një emër konkret për këtë përgjim”, tha Xhaferaj. Naço nga ana tjetër tha se Drejtori i Parandalimit të Pastrimit të Parave nuk merret me këto përgjime prandaj për çdo pyetje duhet t’i drejtohej SPAK. “Për zv/kryeministri mund t’i drejtohet SPAK-ut, nuk merret drejtori me përgjimet, drejto pyetjen aty ku duhet”, tha Naço. Ndërkohë Xhaferaj u shpreh se deputeti Erion Braçe është treguar transparent në ato që ka publikuar teksa akuzoi qeverinë se nuk po tregohet aspak transparente. “Braçe ka nxjerrë datat kur ka qenë zv/kryeministër, për çfarë i ka bërë publike ai, bëni transparencë. Mbanin minimum përgjegjësie transparenca ju mungon ju të rilindjes”, u shpreh Xhaferaj. Naço tha se nuk ka asnjë informacion lidhur me këtë çështje dhe ajo duhet të adresohet në institucionet përkatëse.

Miratohen ndryshimet në Ligjin për Pastrimin e Parave

Komisioni i Sigurisë nga ana tjetër miratoi edhe projektligjin që detyron familjarët e politikanëve dhe të gjyqtarëve dhe prokurorëve që të deklarojnë pasuritë. Këto ndryshime zgjerojnë rrethin e zyrtarëve të cilëve do u verifikohen pasuritë, shtojnë vëmendjen e kriptovalutave, por detyrojnë edhe verifikimin e politikanëve të huaj që blejnë prona apo hapin llogari bankare në Shqipëri. Ndryshimet në Ligjin për Pastrimin e Parave sollën përsëri përplasje me deputetët e opozitës pasi ata akuzuan qeverinë se e ka rikthyer Shqipërinë në listën gri të vendeve me risk të lartë për pastrim parash. Kreu i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave, Elvis Koçi tha se Shqipëria u kthye në listën gri për rritje të efektivitetit, jo për mungesë të standardeve të mbikëqyrjes. Ai tha se bëhet fjalë për çështje teknike, dhe se pritet heqja e Shqipërisë nga kjo listë me adresimin e këtyre problematikave. Shqipëria është në listën gri për efektivitet, jo për mungesa ligjesh. Matja e efektivitetit kryhet përmes 12 fushave. Duhet të përmbushim tre fusha, e para ka lidhje me mbikëqyrjen. Përmirësimi i mbikëqyrjes së disa profesioneve të lira. Janë miratuar në Parlament ndryshimet për ligjin për noterin. Ka pas një ligj për ndërmjetësit e pasurive të paluajtshme, që besoj do kthehet në Parlament. Janë përmirësuar rregulloret e brendshme të autoritetet mbikëqyrëse të ndryshme. Ka përmirësim pjesa e hetimeve dhe dënimeve për pastrim parash. Rezultatet janë pozitive dhe besoj do vazhdojnë edhe këtë 4 mujor”, tha ai.

Radari.al