Deputetët Partisë Demokratike të rreshtuar tanimë në krah ish-kryeministrit Sali Berisha, kanë shpërthyer ditën e djeshme në sulme dhe akuza në adresë të kreut të PD, Lulzim Basha. Bëhet fjalë për deputetët Albana Vokshi dhe Belind Këlliçi, të cilët e shohin të pamundur “ndëshkimin” përmes përjashtimit. Fillimisht, ka qenë deputetja Vokshi, e cila gjatë një prononcimi për mediet i ka treguar muskujt Bashës, duke ia bërë të qartë se s’ka frikë nga kërcënimet e tij. “Nuk e di se nga mund të më përjashtojë Basha se unë jam atje ku janë demokratët. Kam qenë në PD dhe askush nuk mund të më përjashtojë nga PD. Nëse duan të krijojnë një shoqatë, atëherë mund të më përjashtojnë nga shoqata, por unë jam anëtare e PD e nga aty askush s’më përjashton dot”, deklaroi ajo. Po ashtu, deputetja Vokshi theksoi se rreshtimi krah Berishës, sipas saj, nuk është hakmarrje ndaj kryedemokratit, por nevojë për të ndjekur një proces që forcon partinë. “Berisha po na e bën më të lehtë ndryshimin, nuk ka lidhje e duam apo jo Lulzim Bashën si person, unë e kam mik që prej 1999 dhe shpresoj të vazhdoj ta kem mik, por për sa i përket PD, unë përkundrejt 2 alternativave, mes dikujt që dëshiron të ruajë karrigen në krye të një partie që po tkurret apo po zvogëlohet dhe kemi Berishën që takon anëtarët me dëshirën për të ndryshuar dhe unë zgjedh alternativën për PD që unë dua, më të fortë dhe më demokratike”, nënvizoi Vokshi. Nga ana tjetër deputeti Këlliçi ftoi dje gjatë një prononcimi për mediet që Basha të votëbesohet. “Në 11 dhjetor do të jetë një festë e jashtëzakonshme e demokracisë. Do të ketë një rithemelim i PD, një amendim i statutit dhe një ditë feste e bashkimi që do të vendosim kursin tonë politik që ka vetëm 1 kundërshtar, Edi Ramën. Në 18 ka një tentativë për një anti-Kuvend që nuk i shërben demokratëve. Ftoj Bashën të vijë në 11 të futet në votëbesim dhe nëse votëbesohet dhe merr një votë më shumë, ka legjitimitetin e plotë për të drejtuar PD”, deklaroi Këlliçi.

Radari.al