Që kur në media u fol se do të fillonte Big Brother Vip, shumica prej nesh ka menduar se ky reality-show do të ishte një sukses i madh.

E gjitha zhurma e madhe në fakt filloi që kur në media dolën emrat e parë se kush do të prezantonte Big Brother Vip, ku konkurrenca u fokusua më pas në dy emra: Arbana Osmani dhe Luana Vjollca.

Burime kanë konfirmuar se vendimi se kush do të drejtonte këtë reality-show ka qenë disi i vështirë dhe drejtuesit e Top Channel kanë vendosur për Arbana Osmanin pas sondazheve që kanë bërë e ku dukshëm, publiku ka votuar që ajo të drejtonte Big Brother Vip.

Nuk është një nismë e lehtë të realizosh programe mediatike gjigante si ajo e Big Brother Vip, por në fakt duhet theksuar se ky sukses ka pas kuintave edhe dy emra të rëndësishëm, producentët e Big Brother Vip, Lori Hoxha dhe Sara Hoxha.

Me nuhatjen e babait të tyre, Tanit, duket se motrat Hoxha kanë mundur të gjejnë balancat e duhur, njerëzit, personazhet Vip, që absolutisht e kanë bërë Big Brother Vip, hapësirën mediatike më të ndjekur në Shqipëri, e madje duke u zgjeruar edhe në Kosovë.

Kur tashmë jemi në gjysmën e rrugëtimit të këtij reality-show, vendimet që kanë marrë drejtuesit e Top Channel, si për personazhet, opinionistët dhe moderatoren e Big Brother Vip kanë qenë të duhurat.

Të gjithë u çuditen me zgjedhjen e Arbër Hajdarit si opinionist i Big Brother Vip, kjo për shkak të profilit krejt ndryshe të tij, dhe në fakt fillimi i tij nuk kishte gjë për të shënuar.

Por, me kalimin e disa puntatave, në fakt Arbri po ja del shumë mirë që të japë mendime të duhura në kohën e duhur, dhe ndaj personit të duhur.

Të mos flasim për Balinën. Balina Bodinaku ka treguar në shumë raste se gjykimet që jep, i ka jo vetëm të sakta, por me një kthjelltësi intelektuale, që i jep një tjetër ngjyrë Big Brother Vip. Rasti më i fundit, ishte opinioni që dha për këngëtaren Fifi, e cila më pasi humbu ndjenjat. Sikur edhe të ishte menduar apo ta kishte shkruar më parë, nuk do të ishte aq reagimi i goditur dhe me vend i Balinës ndaj Fifit.

Sepse, ky është një reality-show, nuk është emisioni “Dua të të bëj të lumtur”. Asnjë nga banorët nuk mund të kushtëzohet për të folur ndaj një banori tjetër për shkaqe shëndetësore, fizike, psikologjike. Aty janë për t’u gjykuar për mendimet, debatet, lojën e tyre, e jo kush sëmurët më shpesh e kush nxiton i pari të humbë ndjenjat.

Balina ia tha me shumë kulturë dhe me shumë qytetari atë që mendojnë shumica e shqiptarëve për Fifin. Fifin e duam të gjithë si artiste, por Big Brother Vip nuk është ambient meditimi apo Manastir ku shkohet për të gjetur paqen me veten.

Banorja që mund të vlerësohet për sensin e argumentit dhe debatit e të menduarit tani për tani është Einxhel dhe kjo ka sjellë që shumë prej banorëve ta shikojnë si konkurrente të fortë e për këtë e kanë sulmuar vazhdimisht edhe pse në shumicën e rasteve pa të drejtë, siç mund të jetë rasti i fundit, debati me Monikën.

Sepse Monika, që kur është futur në Big Brother Vip, nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka parë me përbuzje disa banorë dhe ka qenë skemaxhia më e madhe aty. Megjithatë, Einxhel, përtej debateve ka mundur të ruajë etikën dhe tonin e zërit.

Ajo çfarë ndodhi mbrëmjen e djeshme, vulosi përfundimisht idenë që shumë shqiptarë mendojnë: Arbana Osmani ka lindur për të drejtuar Big Brother.

Menaxhimi që i bëri situatës, një ngjarje me shumë të panjohura dhe që po ndodhte LIVE, e ka konfirmuar përfundimisht atë si moderatoren më të mirë shqiptare. Sigurisht një rol të rëndësishëm në këtë sukses ka edhe regjisori Eduart Grishaj, pasi mesiguri është shumë e vështirë të koordinosh dhjetëra kamera për të nxjerrë finalin e duhur.

Në fund, mund të themi me bindje: Në të gjitha kafenetë, ambiente pune, është e pamundur të mos flitet për Big Brother Vip, çka ka bërë që edhe pse ka akoma kohë për të përfunduar, mund të cilësohet si pa frikë i suksesshëm.

Radari.al