Eurodeputetët kanë paralajmëruar se situata aktuale në Bosnje dhe Hercegovinë mund të rindezë konfliktin në vend.

Sipas mediave të huaja, paralajmërimet erdhën në mes të një debati të Parlamentit Evropian mbi planet e Milorad Dodik,  anëtari aktual serb-boshnjak i presidencës trepalëshe të nivelit shtetëror të Bosnjës dhe Hercegovinës për të ndarë rajonin e tij nga shteti.

Serbët prej vitesh kanë mbrojtur ndarjen e njësisë së tyre administrative, ose entitetit të Republika Srpska, nga pjesa tjetër e vendit.

Udhëheqësi i lartë politik serb i Bosnjës njoftoi planet për të krijuar ushtrinë, autoritetin tatimor dhe gjyqësorin e Republika Srpska deri në fund të muajit nëntor.

“Kjo jep një sinjal shumë të gabuar dhe mund të çojë përsëri në konflikt dhe dhunë etnike”, tha ligjvënësi, Andrey Kovatçev, një anëtar i grupit të Partisë Popullore Evropiane.

Komentet e Kovatçev u përsëritën edhe nga ato të Pedro Marques nga grupi Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve.

“Njëzet e pesë vjet pas luftës civile, në të cilën mbi 100,000 njerëz humbën jetën, Bosnja dhe Hercegovina është përsëri në prag të kolapsit”, paralajmëroi ai. “Kjo mund të shënojë një rikthim në dhunën e viteve 90-ta”.

Ai i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të vendosë sanksione për të ruajtur integritetin territorial të Bosnjës.

Valdis Dombrovskis, nënkryetar ekzekutiv i Komisionit Evropian tha se situata ishte një çështje shqetësuese.

“Ne jemi të përkushtuar të mbështesim udhëheqësit e vendit në marrjen e hapave për të rifilluar dialogun dhe adresuar thelbin e çështjeve që po nxisin tensionet”, tha Dombrovskis.

“Të gjitha partitë politike duhet të kthehen në institucionet shtetërore dhe të sigurohen që ato të funksionojnë pa probleme”, shtoi ai.

Më shumë se 100,000 njerëz u vranë gjatë luftës së Bosnjës 1992-1995, e shkaktuar nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë.

Një marrëveshje paqeje në vitin 1995 e ndau Bosnjën në dy njësi ose entitete administrative – Republika Srpska me shumicë serbe dhe Federata Boshnjako-Kroate.

Të dy rajonet kanë njëfarë autonomie, me institucione të nivelit shtetëror duke përfshirë presidencën, parlamentin dhe këshillin e tij të ministrave, ushtrinë, gjyqësorin e lartë dhe administratën tatimore.

Dodik ka paralajmëruar se nëse Perëndimi përpiqet të ndërhyjë me planet e tij, ai do të thërriste “miqtë” e tij të huaj për ndihmë, disa që pretendojnë se ai ka mbështetjen e heshtur të Rusisë dhe Serbisë.

Radari.al