Dy persona kanë rënë në prangat e policisë së Lezhës pasi akuzohen për trafikim të lëndëve eksplozive.

Në kuadër të operacionit të koduar Pllana është bërë i mundur ndalimi i shtetasve Agron Manuka, 42 vjeç, banues në Durrës dhe Imer Losha, 46 vjeç, banues në Dibër të cilëve në makinën që po udhëtonin u është gjetur lëndë eksplozive.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 30 kallëpe në formë cilindrike me lëndë eksplozive C-4,  17 kapsolla detonatore, 2 aparate celulare të lidhura me përcjellës elektrik, gati për t’u montuar me mina me telekomandë, si dhe një automjet.

“Finalizohet operacioni policor i koduar “Pllana”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Lezhë, Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Forca Operacionale në DVP Lezhë.

Sekuestrohen 30 kallëpe me lëndë eksplozive C-4, 17 kapsolla detonatore, 2 aparate celulare të lidhura me përcjellës elektrik, gati për t’u montuar me mina me telekomandë, dhe një automjet.

Vihen në pranga 2 shtetasit që ushtronin këtë veprimtari kriminale.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve eksplozive, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se disa shtetas që po qarkullonin me mjet nga Miloti në drejtim të Shkodrës, dyshohej se po transportonin lëndë eksplozive, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Pllana”.

Në kuadër të këtij operacioni, në aksin e vjetër Milot-Lezhë, në fshatin Pllanë, shërbimet e Policisë kanë identifikuar mjetin e dyshuar dhe kanë bërë të mundur ndalimin e tij.

Gjatë kontrollit të automjetit me drejtues shtetasin A. M. dhe pasagjer shtetasin I. L., Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale: 30 kallëpe në formë cilindrike me lëndë eksplozive C-4,  17 kapsolla detonatore, 2 aparate celulare të lidhura me përcjellës elektrik, gati për t’u montuar me mina me telekomandë, si dhe një automjet.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: A. M., 42 vjeç, banues në Durrës dhe I. L., 46 vjeç, banues në Dibër”, thuhet në njoftimin e policisë.

Radari.al