Ministria e Brendshme ka zhvilluar sot takimin konsultativ me donatorët. Ministri Bledi Çuçi gjatë fjalës së tij shpalosi disa nga arritjet e deritanishme në fushën e punëve të brendshme, si dhe ndau prioritetet e punës në vijim në kuadër të vizionit të qeverisë për “Shqipërinë e Sigurit 2030”. Më poshtë fjala e plotë e ministrit Çuçi.

Kam kënaqësinë t’ju uroj mirëseardhjen në Takimin Konsultativ për Punët e Brendshme. Falenderoj përzemërsisht Ambasadorin e BE-së, z. Luigi Soreca, Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara, znj. Yuri Kim, për mbështetjen e vazhdueshme, qoftë institucionalisht, qoftë personalisht. Dhe njëherësh, dua të falënderoj veçanërisht Projektin PAMECA V, që mundësoi këtë takim, si dhe gjithë të ftuarit dhe partnerët pjesëmarrës për angazhimin e tyre sot.

Kjo e sotmja është pjesë e dialogut të vazhdueshëm mes Ministrisë së Brendshme, partnerëve të saj dhe komunitetit ndërkombëtar, në kuadër të përpjekjeve të përbashkëta në rrugën e pakthyeshme drejt integrimit në Bashkimin Europian, dialog i cili nuk ka munguar as gjatë kësaj periudhe të vështirë të pandemisë, por sigurisht që është kënaqësi që tashmë pas pothuajse 2 vitesh kemi mundësinë të diskutojmë nga afër dhe pavarësisht se ende me pjesëmarrje të kufizuar, por edhe ata që nuk na bashkuan dot sot do ta ndjekin online.

Gjithashtu, ky takim është me rëndësi të madhe edhe përsa i përket monitorimit dhe vlerësimit të progresit në të gjitha politikat sektoriale. Ne jemi të përkushtuar të forcojmë mekanizmat aktualë të monitorimit dhe vlerësimit në bashkëpunim me komunitetin e donatorëve.

Pjesa më e madhe e reformave që do të diskutohen sot, janë nën përgjegjësinë direkte të Ministrisë së Brendshme, po ka një sërë sektorësh ku ne bashkëpunojmë ngushtësisht me institucione të tjera dhe jam i bindur se bashkëpunimi ndërinstitucional është aspekti kyç për të realizuar këto reforma. Për këtë falënderoj veçanërisht Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, SPAK, BKH dhe Prokurorinë e Përgjithshme. Gjithashtu, gjej rastin t’i uroj punë të mbarë edhe drejtuesit të Agjencisë Shtetërore për Programim Strategjik dhe Koordinim të Ndihmës, z. Beqaj, nën koordinimin e të cilit jam i bindur që bashkëpunimi ynë me komunitetin e donatorëve do të përforcohet më shumë.

Dua ta theksoj që në nisje, se shumë nga arritjet që prezantojmë sot i kemi realizuar falë partneritetit tuaj, por kam besimin e plotë, se një numër projektesh të tjera mund dhe do të çojmë para.

Projekte të cilat presim të zgjerohen, duke qenë se në kuadër të procesit integrues, veç Kapitullit 24, Ministria e Brendshme tashmë do të jetë përgjegjëse edhe për Kapitullin 22, për Politikat Rajonale dhe Koordinimin e Instrumenteve Strukturore, që lidhen me Fondin Strukturor dhe Kohezionin.

Të nderuar pjesëmarrës,

Në kuadër të këtij dialogu, dëshiroj të ndaj me ju disa nga arritjet kryesore të deritanishme, vizionin e qeverisë për “Shqipërinë e Sigurt 2030”, si dhe sfidat e ardhshme, për të cilat kemi nevojë pa dyshim edhe për mbështetjen tuaj.
Rezultatet e deritanishme tregojnë se falë bashkëpunimit dhe partneritetit, veçanërisht me BE-në, shtetet anëtare por jo vetëm, si dhe me agjencitë e SHBA-së, është bërë e mundur që të rriten dhe të përmirësohen kapacitetet tona në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, menaxhimit të kufijve si dhe rendit publik e sigurisë së publikut. 
Sigurisht që kërcënimet e reja dhe ato ekzistuese në këto fusha vazhdojnë të shfaqen, madje edhe të zhvillohen me modele të reja, edhe me struktura organizatash dhe rrjetesh kriminale që ndërveprojnë përtej kufijve, si online ashtu edhe në territor. Një komponent kryesor në trajtimin e këtyre kërcënimeve janë investimet në inteligjencë dhe në teknologjitë moderne. Ne e dimë që modernizimi dhe teknologjia janë mjeti transformues që kanë vendet si Shqipëria, për të bërë kapërcime madhore, në funksion të shërbimit ndaj qytetarëve. 
Kështu që në buxhetin e vitit 2022, që sapo e miratuam në parim, këtë vit, buxheti për MB do të jetë 4% më i lartë se ai i 2021 dhe 80% e këtij buxheti do të shkojë për Policinë e Shtetit. Pjesa më e madhe e buxhetit sigurisht do të shkojë për investime ku më shumë se gjysma do të shkojë specifikisht në investime në teknologji. Megjithatë, programi ynë qeverisës 4 vjeçar është shumë ambicioz në këtë drejtim, prandaj çdo partneritet që i shërben këtij prioriteti është veçanërisht i vlerësuar nga ne. 
Një komponent po aq i rëndësishëm për përballimin e këtyre sfidave është përmirësimi i kapaciteteve njerëzore në të gjitha nivelet përmes edukimit, kualifikimit dhe trajnimit cilësor. Roli i Akademisë së Sigurisë në fushën e trajnimeve dhe ngritjen e kapaciteteve njerëzore mbetet kyç. Ne kemi besim se Akademia, si një institucion i vetëm i arsimit të lartë në fushën e rendit dhe sigurisë publike, për të cilin po punojmë për akreditimin e tij, do të vazhdojë të mbështetet nga komuniteti i donatorëve. 

Për të rritur eficencën e strukturave dhe kapaciteteve tona njerëzore në luftën kundër krimit të organizuar, dua të ndaj me ju se pjesë e vizionit tonë është riorganizimi i Departamentit të Policisë Kriminale. Kemi në dorë një dokument pune, të një prej ekspertëve më të mirë të Policisë Federale gjermane, mbi të cilin po punojmë. Kjo është një fushë, ku partneriteti juaj do të vlente shumë. Kujtoj se në vitin 2021 u krijua Drejtoria e Hetimit për të hetuar dhe goditur grupet kriminale në fushën e krimit të organizuar, me objektivin për të kryer hetime më proaktive me mbështetjen e bashkëpunimit të intensifikuar ndërkombëtar, përfshirë operacionet e përbashkëta policore. Janë krijuar nga e para të njësi të posaçme për luftën kundër disa figurave të krimit, si ai ekonomik/financiar, krimi kibernetik, njësia për kapjen e personave në kërkim etj.

Një investim infrastrukturor dhe teknologjik me prioritet për Ministrinë e Brendshme në këtë drejtim është ai i ndërtimit dhe pajisjes së Institutit të Policisë Shkencore, ku partnerët tanë të Mbretërisë së Bashkuar kanë shprehur gatishmëri për mbështetje, por edhe më të mëdha janë nevojat tona në këtë drejtim. 

Një fushë tjetër, por e ndërlidhur, që ka vëmendjen tonë të veçantë, është ajo e pastrimit të parave, pasi përbën jo vetëm vepër penale, por dëmton konkurrencën e lirë dhe vështirëson jetën e qytetarëve me të ardhura të ulëta dhe mesatare. Në këtë kuadër, krimi kibernetik dhe transfertat e parave me burim të dyshimtë, apo me teknologjitë blockchain, përbëjnë një kërcënim në rritje.
Vetëm për t’jua ilustruar me disa shifra, gjatë periudhës Janar – Shtator 2021, janë proceduar penalisht rreth 380 persona në fushën e narkotikëve, krimit ekonomik dhe financiar, kibernetik apo në fushën e krimeve të rënda. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020, kemi një rritje me rreth 215 %, – ku 86 janë raste të proceduara penalisht në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe me përfshirjen e agjencive të tjera partnere. 
Siç shihet, mesatarisht një ndër 4 operacione është zhvilluar në bashkëpunim me strukturat e agjencive partnere. Ne i kemi kushtuar vëmendje të veçantë bashkëpunimit ndërkombëtar dhe për këtë arsye kemi rritur praninë tonë të oficerëve të kontaktit në vendet mike, madje Policia e Shtetit synon të jetë lider edhe në disa prej operacioneve ndërkombëtare. 
Specifikisht në fushën e hetimeve financiare dhe pasurore, jemi të bindur se gjurmimi, gjetja, sekuestrimi, konfiskimi dhe rikuperimi i aseteve kriminale, është strategjia më e mirë për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin, trafikun e paligjshëm dhe krimet e tjera që gjenerojnë produkte, prandaj jemi plotësisht mbështetës për krijimin brenda 2022 të ARO-s, Zyrës Rikuperimit të Aseteve. Vetëm për 9 muajt e parë të 2021, janë sekuestruar mbi 18 milion euro asete kriminale, të cilat menaxhohen nga Agjencia (AAPSK), me destinacion final fuqizimin e agjencive ligjzbatuese dhe kthimin në të mira publike për komunitetin të këtyre pasurive.

Në fushën e menaxhimit të kufijve, ne jemi angazhuar të parandalojmë krimet ndërkufitare. Në 24 mars 2021, operacioni i përbashkët me Agjencinë Evropiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare (FRONTEX), i cili ka filluar që në maj 2019, u zgjerua edhe në kufirin detar. Ndërkohë që BE është aktualisht duke na mbështetur me një projekt nëpërmjet IPA; ne e mirëpresim dhe çdo partneritet në sektorin e kufirit të gjelbër dhe blu, ku synojmë zgjerimin e përdorimit të teknologjisë.

Lufta kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm ka qenë dhe mbetet prioritet shumë i rëndësishëm i yni dhe i partnerëve tanë të ulur në këtë sallë.

Në sektorin e azilit, u hartua Ligji për Azilin bazuar në modelet më të mira dhe standardet e BE-së dhe, për herë të parë, është aplikuar mbrojtja e përkohshme në raste të flukseve migratore. Një instrument që u përdor me shumë sukses, në rastin konkret, në fluksin azilantëve që erdhën nga Afganistani.

Një vëmendje të veçantë në prioritet e qeverisë dhe të Ministrisë së Brendshme, do të ketë edhe mbrojtja e mjedisit. Sipas ndryshimeve në legjislacion, tashmë krimet mjedisore trajtohen gjithmonë e më tepër si vepër penale. Në rast se një shtetas kryen një vepër kundër mjedisit, ndaj tij nisin njëkohësisht dy procese, njëri penal nga Policia e Shtetit, e cila po merr një rol të shtuar në trajtimin e krimeve mjedisore, dhe tjetri administrativ, nga IKMT

Në lidhje me angazhimet tona në mbrojtje të mjedisit, gjej rastin të theksoj këtu se Ministria e Brendshme kontribuon drejtpërdrejt në arritjen e disa objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe ato të Konferencës së fundit të Kombeve të Bashkuara për Klimën. Mbrojtja e burimeve natyrore, në radhë të parë e atyre ujore, me theks të veçantë për shtretërit e lumenjve, vijat e liqeneve dhe ato bregdetare, nga çdo dëmtim potencial apo keqbërës i mundshëm, janë në qendër të vëmendjes së strukturave tona. 
Të nderuar pjesëmarrës,
Së fundmi, por jo për nga rëndësia që zë në portofolin e punëve të brendshme, ne jemi të përkushtuar në zbatimin e Strategjisë Ndërsektoriale të Decentralizimit dhe Qeverisjes Vendore pasi vlerësojmë se bashkitë janë një gur themeli i demokracisë dhe administratës shqiptare dhe kanë një rol kyç, ndër të tjera, në rendin dhe sigurinë publike, në luftën kundër krimit mjedisor e një kontroll më të mirë mbi territorin, si dhe në shërbimet e decentralizuara dhe më pranë qytetarit si ato të gjendjes civile apo emergjencave civile. Në këtë kuadër, dua të përmend veçanërisht projektin STAR, i cili është një shembull suksesi prej më shumë se 8 vitesh tashmë, jo vetëm për misionin dhe objektivat që ka, por edhe sepse bashkon në një qëllim të përbashkët disa partnerë strategjikë me qeverinë shqiptare.

Dhe nën këtë shembull të bashkërendimi të partneritetit, por edhe gjithë dëshmisë së rasteve dhe shifrave që parashtrova, të cilat vërtetojnë se bashkëpunimi ndërkombëtar sjell rezultate të larta, jam i bindur se në të ardhmen mund të bëjmë shumë më tepër së bashku dhe le të jetë sot një hap tjetër drejt partneritetit tonë në rritje.

Duke ju siguruar të gjithëve se Ministria e Brendshme dhe strukturat e saj janë të përkushtuar për të vazhduar zbatimin e reformave dhe për të përshpejtuar arritjen e rezultateve të synuara, ju ftoj në këtë dialog aktiv dhe sa më të frytshëm në panelet në vijim.

Radari.al