Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë e ka bërë edhe një herë të qartë se reforma në drejtësi për të është shumë e rëndësishme. Ditën e djeshme në ambientin e saj u mbajt një pritje me krerët e institucioneve të drejtësisë dhe me ata që kanë kontribuuar për realizimin e reformës. Ambasada reagoi përmes një postimi në rrjete sociale, ku dhe dha disa mesazhe. Sipas saj reforma po ecën dhe ka kërkuar që të shihet ndryshe progresi i këtij procesi. “Me mbylljen e vitit 2021, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë hedh një vështrim mbi progresin që ka bërë Shqipëria gjatë pesë viteve të para të Reformës në Drejtësi. Progresi nuk duhet të matet vetëm nga distanca deri në destinacion, progresi duhet të matet edhe nga sa larg kemi arritur në udhëtim. Paketa legjislative, duke përfshirë ndryshime të rëndësishme kushtetuese, shënoi një pikënisje për matjen e këtij progresi. Si një reformë gjithëpërfshirëse, Shqipëria zgjodhi të ndërmerrte një plan tërësor për të rivlerësuar integritetin dhe profesionalizmin e anëtarëve të sistemit të drejtësisë dhe promovimin e një kulture të re nëpërmjet ndryshimit të strukturës së institucioneve të drejtësisë nëpërmjet depolitizimit dhe decentralizimit”, tha ambasada. Më tej ajo e bëri të qartë se reforma mund të mos jetë e përsosur, por ajo është e duhura dhe duhet të ecë përpara. Teksa ditët e fundit reforma është kthyer në target sulmesh, ka ardhur dhe ky reagim i ambasadës, duke dërguar mesazhe të qartë për armiqtë e këtij procesi. “Përfaqësuesit e Ambasadës së ShBA u mblodhën së fundmi me disa nga individët e shumtë që punojnë pa u lodhur, çdo ditë, për të zbatuar këto koncepte dhe për ta bërë reformën në drejtësi një sukses. Reforma në drejtësi nuk është e lehtë, e shpejtë apo e përsosur dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara është mirënjohëse për ata që e kanë sjellë Shqipërinë deri këtu”, mbyllet deklarata e ambasadës.

Radari.al