Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka marrë vendimin për pushimin e hetimeve për ish-kryetarin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) Ardian Dvorani.

Një ditë më parë ishte Prokuroria e Speciale Kundër Korrupsionit (SPAK) që pushoi hetimet në lidhje me ish-zyrtarin e lartë.

Përfaqësuesi i Presidencës Bledar Dervishaj deklaroi se do ankimojë vendimin.

Ndërsa vetë Dvorani ka deklaruar: ‘S’kam përplasje me asnjë institucion, ka ikur koha e gjyqeve publike”.

Dvorani u kallëzua në nëntor të vitit 2019 nga presidenti i Republikës Ilir Meta për shpërdorim detyre dhe përvetësim të titullit apo detyrës shtetërore.

Përplasja Meta-Dvorani erdhi gjatë procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, teksa presidenti e cilësoi kreun e KED, një ushtar të verbër të partisë.

Fillimisht kallëzimi u hetua nga prokuroria e Tiranës dhe më pas kaloi në SPAK, ku sipas burimeve, Dvorani është marrë edhe në pyetje.

Aktualisht ky i fundit ushtron detyrën si gjyqtar në gjykatën administrative të apelit Tiranë ndërsa në shkurt të këtij viti ai u shpall nga Departamenti Amerikan i Shtetit kampion anti-korrupsioni.

Radari.al