Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me aksidentin që ndodhi mëngjesin e kësaj të marte në Bullgari, ku një autobus nga Maqedonia u përfshi nga flakët.

Rama shprehet se nuk ka fjalë për një rast të tillë tragjik, ku kanë humbur jetën pothuajse të gjithë udhëtarët që ishin në autobus.

“S’ka fjalë për tragjedinë e autobusit nga Maqedonia e Veriut në Bullgari, ku kanë humbur jetën thuajse të gjithë udhëtarët…  Dhimbje”,shkruan Rama në postimin e tij.

Si pasojë e flakëve që përfshinë autobusin pas aksidentit 46 persona humbën jetën, dhe 7 të tjerë mbijetuan.

Mediat raportojnë se shumica e personave që kanë humbur jetën janë shqiptarë.

Në mesin e viktimave janë 12 fëmijë, ndërkohë që ngjarja ka shokuar mbarë vendet e rajonit.

Dyshimet e para janë se autobusi me 53 udhëtarë është rrokullisur fillimisht, dhe më pas ka shpërthyer në flakë, ndërkohë që hetimet për ngjarjen e rëndë vijojnë ende.

Pas aksidentit i cili ndodhi në autostradën Struma në Bullgari, në spitalin Porogov në Sofje është hospitalizuar një 17-të vjeçare dhe 5 të rritur, njoftoi për VTA d.r. Marja Argirova. Ajo tha se të hospitalizuarit janë jashtë rrezikut për jetë.

17 vjeçarja dhe pesë nga të rriturit janë vendosur në Klinikën për djegie, ndërsa njëri pacient është dërguar në Klinikën për Traumatologji. Autobusi rreth orës 21:00 ka hyrë në pikën kufitare Kapitan Andreev. Rreth orës 3:00 ka ndodhur aksidenti në autostradën Sofje- Bllogoevgrad.

Radari.al