Kërcënim apo përgatitje për luftë? Zyrtarët dhe analistët perëndimorë mbeten të ndarë në domëthënien që ka dislokimi i trupave ushtarake ruse përgjatë kufirit të saj me Ukrainën. Rusia vendosi rreth 100,000 trupa në fillim të këtij viti dhe tha se lëvizja ishte e përkohshme dhe vetëm për stërvitje.

Por shumica e trupave ushtarake ka mbetur aty. Kohët e fundit sipas zyrtarëve perëndimorë dhe ukrainas, janë shtuar edhe njësi të forcave speciale elitë, shpesh fshehurazi brenda natës. Kjo ka shkaktuar alarm në rritje në Kiev dhe në Perëndim.

Gjenerali Kyrylo Budanov, Shefi i Agjencisë së Zbulimit Ushtarak të Ukrainës, i dha edhe më shumë zë shqetësimeve kur i tha gazetës amerikane “Military Times”, se dyshon se Kremlini po përgatitet për një ofensivë të gjerë që do të ndodhë në fillim të vitit të ardhshëm, ndoshta nga fundi i janarit.

Sipas zotit Budanov, kjo ka të ngjarë të përfshijë sulme ajrore, bombardime me artileri dhe tanke në Ukrainën lindore dhe sulme nga deti në qytetet portuale të Ukrainës, Odessa dhe Mariupol. Një inkursion më i vogël mund të kryehet përmes vendit aleat të Moskës, Bjellorusisë, shtoi zoti Budanov.

Por përpara se të ndërmerrte këtë hap, Rusia do të rriste luftën psikologjike dhe fushatat e dezinformimit, tashmë në zhvillim, të projektuar për të destabilizuar Ukrainën tha ai.

“Ata duan të nxisin trazira, përmes protestash e takimesh ku të tregojnë se njerëzit janë kundër qeverisë”, tha ai.

Zoti Budanov paralajmëroi se nëse do të niste një sulm, ai do të ishte i përmasave më të mëdha krahasuar me inkursionet ruse që u vunë re që nga shpërthimi i konfliktit mes dy vendeve, në vitin 2014.

Agjencitë ukrainase të zbulimit publikuan një hartë ku detajoheshin përllogaritjet se si do të ndodhte pushtimi, me forcat ruse që hyjnë në vend nga veriu, lindja dhe jugu. Do të ishte një operacion shumë më tradicional, por më i përgjakshëm sesa pushtimi i Krimesë nga Rusia në vitin 2014. Zoti Budanov beson se qëllimi përfundimtar i Kremlinit është të rrëzojë administratën e Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy.

Radari.al