Në shumë zona të Shqipërisë njihet si pulë me qull dhe arra, e në shumë të tjera si pulë me çervish. Megjithatë tradita mbetet e njëjtë, e po ashtu edhe shija unike e kësaj recete.

PËRBËRËSIT: 600 g mish pule, 60 g gjalpë, 150 g arra, 4 lugë gjelle miell, 4-5 thelpinj hudhër,  nenexhik, kripë dhe piper.

PËRGATITJA: Pulën e pastrojmë, e lajmë dhe e presim në thela. Thelat i hedhim në një enë me ujë të valuar të cilën e kemi vënë në zjarr më parë. Pulën e ziejmë në zjarr të avashtë duke i shtuar edhe kripën. Pasi zien pula, në një enë hedhim gjalpin dhe kaurdisim miellin sa të marri një ngjyrë të verdhë. Më pas shtojmë nga lëngu i pulës pjesë-pjesë dhe e trazojmë që mielli të mos na bëhet kokrriza. Lëngun e lëmë në zjarr të ngadaltë duke e trazuar për gati 5-6 minuta. Shtojmë arrat, hudhrat, nenexhikun, thelat e mishit i trazojmë dhe i heqim nga zjarri. Më pas e shërbejmë.

Radari.al