Instagram mund të fillojë të imitojë modelin e biznesit të faqeve si Patreon ose OnlyFans dhe do të zbatojë abonime me pagesë, sipas portalit TechCrunch dhe bazuar në zbulimet e kompanive Sensor Tower dhe Apptopia, kompani që janë të përkushtuara për të gjurmuar ndryshimet në aplikacionet mobile.

Rrjeti social i fotografive është duke përgatitur një ndryshim që lejon sistemin e abonimit. Nga ky funksion do të përfitojnë kryesisht krijuesit e përmbajtjes së aplikacionit.

Këto ndryshime janë parë gjatë përditësimit të aplikacionit në iOS store. Kompanitë e sipërpërmendura kuptuan se në atë version janë shtuar opsionet e blerjes brenda Shteteve të Bashkuara të quajtura ‘Instagram Subscriptions’, me çmime që variojnë nga 0,99 në 4,99 dollarë.

Kjo nuk do të thotë se e gjithë përmbajtja në Instagram nuk do të jetë më falas, por që përdoruesit do të kenë mundësinë të ngarkojnë përmbajtje të tilla si imazhe, video dhe histori që do të kenë nevojë për një pagesë abonimi për t’u aksesuar.

Instagram nuk është i vetmi rrjet social që ka implementuar këtë sistem pagese. Këtë vit, Twitter njoftoi gjithashtu një veçori të ngjashme të quajtur Super Follow, e cila i lejon krijuesit të ofrojnë materiale ekskluzive për abonentët e tyre.

Radari.al