Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka përshëndetur sot Konferencën e Lidershipit Ballkanik që këtë vit është mbajtur në Tiranë, ku u nënshkrua edhe Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet Federatës së Paqes Universale për Evropën dhe Lindjen e Mesme dhe Klubit të Podgoricës. Po ashtu në Tiranë u inaugurua ditën e sotme edhe “Ambasada e Paqes për Ballkanin” e Federatës së Paqes Universale, gurthemeli i së cilës u vendos dy vite më parë gjatë Samitit të Paqes në Tiranë.

Për këtë nismë Veliaj ka përgëzuar ish-Presidentin e Republikës, Alfred Moisiu, i cili është edhe kryetar i Këshillit të Lartë të Paqes për Ballkanin, si dhe anëtar i Klubit të Podgoricës.

“E vlerësoj jashtë mase misionin dhe punën tuaj! Do të thotë që nuk është ofiqi ai që e bën njeriun të dobishëm, por është zemra dhe pasioni që e mban me energji dhe me kontribute. Kështu që të falënderoj shumë që na ke mbledhur të gjithëve bashkë sot. Për mua ke qenë një mbështetje, ke qenë një mentor, ke qenë një këshilltar, ke qenë një inkurajim në ato ditët ku më është dashur të marr vendime të drejta dhe pse jo popullore edhe e çmoj shumë gjithë këtë misionin tuaj i cili shërben edhe si një shembull për këdo që puna nuk mbaron kur përfundon mandati, por në fakt sapo ka filluar pasi ai mandat është energji për të vazhduar misionin,” u shpreh ndër të tjera kryebashkiaku Veliaj.

Ish-Presidenti Mosiu e ka quajtur një aset të çmuar për kryeqytetin Ambasadën e Paqes. “Tani ne kemi godinën tonë, Ambasadën e Paqes e cila me siguri do të jetë një aset i çmuar për kryeqytetin tonë dhe jo vetëm, por do t’i shërbejë edhe aktiviteteve të tjera ndërkombëtare. Falenderoj Bashkinë e Tiranës dhe kryetarin Veliaj për mbështetjen që na ka dhënë. Ambasada e Paqes do të jetë qendër e aktiviteteve për paqe në Shqipëri dhe Ballkan për të promovuar vlerat e familjes, lidershipin dhe qeverisjen e mirë, edukimin dhe trajnimin e të rinjve me vlera të larta të dashurisë për dijen, njerëzit dhe kombin, për të kontribuar sa më shumë për rritjen e miqësisë dhe bashkëpunimit midis popujve të rajonit tonë, si edhe për të ndihmuar dhe në forcimin dhe ruajtjen e paqes në rajonin tonë,” tha Moisiu.

Duke uruar mirëseardhjen për miqtë e paqes nga e gjithë bota, Veliaj u shpreh i lumtur që më në fund në Tiranë ka një ambasadë paqe për të gjithë Ballkanin.

“Një mikpritje të veçantë dhe një mirëseardhje të veçantë atyre që kanë ardhur nga vise shumë të largëta, nga Korea dhe miqtë tanë nga Azia, po edhe komshinjtë tanë presidentin e Kroacisë, presidentin e Malit të Zi, presidentin e Bosnjes, të gjithë ata vëllezër dhe motra që kanë ardhur nga Kosova, apo nga qytete të tjera të Shqipërisë. Më vjen mirë që sot jemi mbledhur për të inauguruar në këtë rrugë ambasadash ndoshta ambasadën më të rëndësishme në Ballkan që është “Ambasada e Paqes”, në një Ballkan që ka kaluar ditë të vështira, ka kaluar sfida të jashtëzakonshme që ka përjetuar luftëra të përgjakshme dhe kur shikon që sa pak jemi për tu copëtuar e për tu grindur apo për të luftuar, është ndoshta koha për reflektim,” deklaroi kreu i Bashkisë së Tiranës.

Federata e Paqes Universale (FPU) është një rrjet global individësh dhe organizatash që i janë përkushtuar ndërtimit të një bote në paqe bazuar në vlera morale dhe shpirtërore universale. Iniciativa e Ambasadorëve të Paqes e ka zanafillën në Janar të vitit 2001 dhe u pasuar nga një sërë programesh edukimi dedikuar paqes e pajtimit në të gjithë botën. Deri tani në botë numërohen mbi 150 000 Ambasadorë të Paqes. Ndërsa në Shqipëri dhe Kosovë janë emëruar rreth 2500 Ambasadorë të Paqes të cilët përfaqësojnë elitën e shoqërisë shqiptare, duke përfshirë këtu udhëheqës të sferës politike, akademike, fetare,
shoqërisë civile etj.

Radari.al