Së bashku me Kryeministrin Edi Rama, Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, prezantoi buxhetin për peshkimin për vitin 2022 ndërsa në fjalën e saj vuri në pah mbështetjen e qeverisë ndaj këtij sektori, i cili ka marrë hov zhvillimi të dukshëm që prej vitit 2013 e që është reflektuar edhe në raportin e Komisionit Europian të këtij viti.

Duke u ndalur tek buxheti i 2022, Krifca bëri me dije se nëpërmjet Programit “Mbështetje për peshkimin” do të vihen në dispozicion 702 milionë lekë.

Gjithashtu, Ministrja informoi se do të mundësohet rritja e kapaciteteve ankoruese të portit të Durrësit, për të akomoduar në mënyrë të sigurt flotën më të madhe në vend që përben 60% te totalit. Por jo vetëm, sipas Krifcës, investime do të kryhen edhe në rritjen e kapaciteteve ankoruese në portin e Shëngjinit, në ristrukturimin e qendrës shtetërore të Zvezdës në Korçë, si dhe do të vihet në dispozicion skema kombëtare e mbështetjes për të vazhduar me rinovimin e flotës së peshkimit.

Më tej, Ministrja u ndal tek potenciali që ka vendi ynë tek eksporti i açugeve, sektor për të cilin, janë nisur negociatat me Bashkimin Europian për rritjen e kuotave të açugeve të përpunuara ndërsa janë aktualisht 28 fabrika të përpunimit që kanë auzorizim për eksport në BE.

Nga kjo rritje, sipas Krifcës, parashikohet se impakti direkt do të jetë rritja me 4000 persona të punësuar në këtë industri si dhe gjithashtu, ajo shtoi se akuakultura përfaqëson një sektor të rëndësishëm dhe zotëron një potencial të madh.

“Prodhimi i përgjithshëm nga uji i ëmbël, uji i njelmët dhe mjedisi detar, është rritur gjatë viteve të fundit, nga 3450 ton në vitin 2012, në 8799 ton në vitin 2020”, vijoi prezantimin Krifca.

Radari.al