Ish-kryeministri Sali Berisha tha sot se Lulzim Basha duhet të largohet nga drejtimi i PD-së për shkak të disfatave që i ka shkaktuar opozitës.

Ai ishte mjaft i ashpër edhe ndaj sekretarit të Përgjithshëm Gazmend Bardhi dhe nënkryetarëve Alfred Rushaj, Enkelejd Alibeaj, Grida Duma dhe Jorida Tabaku.

Sipas Berishës ata janë të paligjshëm në postin e tyre pasi janë emëruar nga Basha dhe nuk janë votuar me votë të fshehtë në Këshillin Kombëtar.

“Basha thotë se nuk jep dorëheqjen pasi nuk e parashikon statuti. Atëherë unë po ju them se statuti parashikon që Sekretari i Përgjithshëm, nënkryetarët dhe sekretarët zgjidhen nga Këshilli Kombëtar me votim të fshehtë me 2 kandidatura. E ka të shkruar këtë statuti? E ka statuti. Çfarë do të thotë kjo?

Asnjë njeri që nuk është zgjedhur me votë të fshehtë, nuk është zgjedhur me dy kandidatura nuk është i ligjshëm në atë detyrë. Ndaj dhe sot duke shprehur konsideratë për ta, i kërkoj sekretarit të përgjithshëm dhe nënkryetarëve të PD në radhë të parë të japin shembullin duke dhënë dorëheqjen e menjëhershme nga një detyrë e paligjshme që kanë marrë.

Është e lehtë të dalësh nga ekrani në ekran për llogari të Edi Ramës e të peng-Bashës, por mos harroni se keni barrë morale të rëndë. Se nuk jeni të zgjedhur, por të emëruar nga peng-Basha. Për të qenë i zgjedhur duhet të emërohesh me votë të fshehtë.

Nëse të ka ngelur një nanogram respekti për të qindra mijëra demokratë që kanë derdhur djersë ndër vite dhe sakrifica dhe që u udhëhoqën nga disfata në disfatë, jepni dorëheqjen. Sa herë të dilni në TV gjithnjë e më të paligjshëm do të dukeni. Nuk meritoni të jeni në postin që jeni. Kjo është një thirrje miqësore, joarmiqësore. Ju që jeni në këtë sallë e meritoni sepse jeni njerëz të lirë kurse ata mbetën pengje të Lulzim Bashës”, tha Berisha.

Radari.al