Numri i kontribuuesve në fondet e pensioneve private po i afrohet shifrës 33 mijë. Të dhënat e nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se numri i kontribuuesve në fund të muajit shtator arriti në 32 932, me një rritje prej 6.16% që nga fillimi i vitit.

Gjatë vitit 2021, këtyre fondeve iu janë shtuar më shumë se 1900 kontribuues. Për sa i takon vlerës së aseteve neto, ritmet e rritjes paraqiten edhe më të larta. Vlera e tyre në fund të muajit shtator të këtij viti arriti në 4.28 miliardë lekë ose rreth 35 milionë euro, në rritje me 18.9% që nga fillimi i këtij viti. Në pjesën dërrmuese, asetet e fondeve të pensioneve janë të investuara në obligacione të qeverisë shqiptare.

Tregu i pensioneve private në Shqipëri është ende i ri dhe zgjerimi i mirëfilltë i fondeve nisi vetëm një dekadë më parë, pas hyrjes së investitorëve me përvojë nga tregu bankar dhe ai i sigurimeve. Megjithë ritmet e shpejta të rritjes në vitet e fundit, përmasa e tregut në vlerë ngelet mjaft e ulët në vlerë absolute dhe e papërfillshme kundrejt madhësisë totale të sektorit financiar në vend. Numri i kontribuuesve në fondet private përbën më pak se 2.7% të numrit të përgjithshëm të të punësuarve në vend.

Në një masë të madhe, këto fonde po nxiten nga skemat e pensioneve të ndërmarrjeve private, që ofrohen në formën e përfitimeve për punonjësit. Skemat funksionojnë nëpërmjet kontributeve të derdhura nga punëdhënësit në favor të punëmarrësve ose nëpërmjet kontributit të përbashkët. Sipas të dhënave nga AMF, deri në fund të vitit të kaluar, rreth 56% e numrit të përgjithshëm të anëtarëve janë të përfshirë në plane individuale të pensionit vullnetar, ndërsa rreth 44% e tyre në plane profesionale të krijuara nga punëdhënësit për punonjësit e tyre.

Në treg aktualisht veprojnë katër fonde të pensioneve private. Sipas numrit të anëtarëve, aktori më i madh në treg është Credins Pension, me rreth 55.1% të numrit të përgjithshëm të anëtarëve, i ndjekur nga Sigal Pension me 27.1%, Raiffeisen Pension me 9.6% dhe Albsig Pension me 8.2%. Për nga vlera e aseteve neto, fondi më i madh është Sigal Pension me 43.9% të totalit, i ndjekur nga Credins Pension me 30.2%, Raiffeisen Pension me 22.9% dhe Albsig Pension me 3%.

Të dhënat e publikuara nga shoqëritë administruese tregojnë se kthimet vjetore për tre prej katër fondeve aktive të pensioneve janë në nivele më të larta krahasuar me tremujorin e dytë dhe me fundin e vitit të kaluar. Në fund të muajit shtator, fondi më i madh Sigal Pension, raportonte një kthim prej 3.69%, nga 3.68% që kishte qenë në mesin e këtij viti dhe 3.53% që kishte qenë për vitin 2020. Për Credins Pension, në fund të muajit shtator kthimi vjetor nga investimi arriti në 3.09%, nga 2.97% që kishte qenë në fund të tremujorit të mëparshëm dhe 2.85% në fund të vitit të kaluar. Fondi më i ri në treg, Albsig Pension, sipas të dhënave më të fundit të publikuara më datë 25 tetor (ky fond ofron informacion të përditësuar çdo ditë) siguronte një kthim vjetor prej 2.23%: Albsig Pension e plotësoi vitin e parë të aktivitetit në muajin shkurt të këtij viti dhe kthimi nga investimi ishte në nivelin 2.04%. I vetmi fond me një rënie të lehtë të normës së kthimit është Raiffeisen Pension, që në shtator ka raportuar kthim vjetor nga investimi 4.24% në rënie nga niveli prej 4.37% në mesin e këtij viti dhe nga niveli 4.35% i fundit të vitit 2020. Megjithatë, Raiffeisen Pension ende ka normën më të lartë të kthimit në tregun e pensioneve private.

Legjislacioni shqiptar i përjashton kontributet për pension privat nga tatimi mbi të ardhurat personale deri në një kufi prej 200 mijë lekësh në vit nga punëmarrësi dhe 250 mijë lekë në vit nga punëdhënësi. Megjithatë, përfitimi i zbritjes nga tatimi në praktikë është i ndërlikuar, sidomos në rastet e kontribuesve në skemat individuale. Njohja e shpenzimeve për kontribute dhe zbritja e tyre nga të ardhurat e tatueshme funksionin vetëm në rastet kur derdhja e tyre bëhet direkt nëpërmjet punëdhënësit, ndërsa është e vështirë në rastet kur individët i derdhin vetë kontributet.

Radari.al