Nga Mero Baze

Lulzim Basha ka gjetur me se ta forcojë pesimizmin në radhët e atyre militantëve që mbështesin Sali Berishën. Ka tërhequr në skenë Ilir Metën, dhe bën sikur lufton me të. I analizon gabimet, e kritikon pse u shkatërroi fushatën elektorale, i kujton se ishte faktori vendimtar në shkatërrimin e LSI si partnere opozitare etj. Është një mënyrë elegante për ta tërhequr atë në skenë dhe për ta hedhur në luftë.

Dhe Ilir Meta nuk e zhgënjeu. Me të njëjtin pasion që doli dhe tha se Lulzim Basha e ka përdorur atë për të anuluar zgjedhjet lokale të vitit 2019, me të njëjtin pasion fillon e merr pozicion në betejën e Bashës me Berishën, duke u njehsuar me Berishën.

Është fiks ajo që Basha kërkon nga ai.

Më 2019, e besoj Ilir Metën që Basha kërkonte shtyrjen e zgjedhjeve nga frika e ndonjë gjakderdhje. Dhe Meta ja paska plotësuar dëshirën. Por nuk e kuptoj pse ja plotëson tani dëshirën, duke u përfshirë në konfliktin brenda PD dhe duke u bërë palë me Berishën.

Ilir Meta është një figurë që demokratëve u duhej për pushtet por nuk e deshën kurrë. Fakti që ai është një figurë aq pak popullore në Shqipëri, vjen pikërisht se është përdorur historikisht nga PD dhe nuk e kane dashur kurrë. Kështu e majta e ka marrë inat si tradhtar, ndërsa PD e ka dashur vetëm si shërbëtor. Është kjo arsyeja që ai i ka aq të ulëta kuotat në opinion publik.

Duke e thirrur në skenë dhe duke e bërë palë me Berishën, Basha ja ka arritur t’i dëshirojë militantët e Berishës, kur e kuptojnë që janë bashkë më një front me Ilir Metën.

Dhe Ilir Meta e kupton këtë, e kupton që Lulzim Basha po e përdor përsëri pë hallin e vet, por nuk ka rrugë tjetër. E vetmja rrugë që e frymëzon për luftë është ajo që frymëzon dhe Berishën, është beteja me SHBA. Dhe para atij halli te madh,  ai pranon të keqpërdoret përsëri nga Lulzim Basha. 

Radari.al