“Për çfarë na duhen të rinjtë që marrin 8, 9 apo 10 në shkollë, nëse nuk janë në gjendje të ndërhyjnë kur u bëhet keq një miku të tyre? Kur kanë përgatitje shumë të mira akademike, ama nuk i ndihmojnë miqtë e tyre në nevojë. Ne u kushtojmë shumë rëndësi arritjeve në shkollë, ama shumë pak ndjenjave. Një person fillimisht duhet të bëhet një person me vlera, më pas një person me arritje të larta në shkollë”.

Vendosa ta nis këtë material me fjalët e Piero Angela-s, i cili është shprehur hapur mbi një realitet që e hasim përditë. Jemi një shoqëri që i kushtojmë vëmendje shkollimit dhe arritjeve akademike. Ndoshta nga zilia se nuk duam të shohim dikë më të mirë se vetja, ose më të mirë se fëmijët tanë; ndoshta nga njëkulturë e trashëguar në mënyrë të tillë në vite, por gjithsesi duam që vetë ne, apo fëmijët tanë tëshkëlqejnë në shkollë. Harrojmë se pavarësisht rëndësisë së saj, shkolla gjithmonë duhet të jetë në plan tëdytë. Parësor është gjithmonë humanizmi. Sado i mirë të jesh me arritjet akademike, nëse nuk je njeri i mirë, gjithçka shumëzohet me zero.

Mendoni pak sa keq duket një njeri që mund të jetë një gjeni në shkollë, ama kur e sheh dikë duke vuajtur në rrugë, apo duke i kërkuar ndihmë, largohet sikur të mos kishte parë/dëgjuar gjë, ose më keq akoma, e përbuz personin tjetër. Vlerat e një personi të tillë nuk ekzistojnë dhe sado njohuri të ketë, asnjë prej tyre nuk ka rëndësi.

Duhet të ndryshojmë mënyrën tonë të të menduarit. Një diplomë nuk është asgjë, nëse nuk je njeri dhe nuk di të sillesh me të tjerët. Kohët kanë ndryshuar dhe nuk jemi më në atë periudhë kur njerëzit luftonin për mbijetesë dhe e shihnin tjetrin si armik. Në realitetin e sotëm, çdokush ka mundësitë e veta për tëavancuar dhe ajo që duhet të bëjmë është se, nëse kemi diçka në dorë, duhet ta përdorim që dhe dikush tjetër të avancojë. Nuk na kushton asgjë, përkundrazi, do të fitojmë kënaqësi të mëdha shpirtërore.

Radari.al