Rrëmbimi dhe vrasja e 8 vjeçarit Mateo Vasiu në Fier riktheu edhe njëherë vëmendjen te krimet ndaj të miturve. Rasti i vogëlushit në fshatin Grecalli ishte fatal, ndërsa rastet e dhunës dhe abuzimit janë të shumta.

Mësohet se gjatë vitit 2021 në Policinë e Shtetit janë denoncuar 162 raste të krimeve që lidhen me të miturit.

Shqetësim për uniformat blu është fakti se ky numër i raportuar është shumë herë më i ulët se realiteti pasi jo të gjitha rastet e dhunës apo abuzimit denoncohen.

Autorët e këtyre krimeve në pjesën më të madhe janë persona me probleme të shëndetit mendor, të alkoolizuar apo përdorues të lëndëve narkotike.

Në shumë raste, autorët janë dhe përsëritës të këtyre krimeve, njëjtë si vrasësi Klodian Çalamani në Fier.

38 vjecari, pas bëri 4 vite burg në vitin 2006 për rrëmbimin e një të miture, jo vetëm nuk u rehabilitua, por ishte një rrezik i vazhdueshëm për komunitetin ku jetonte.

Për të identifikuar këta individë, prej disa javësh në Kuvend po shqyrtohet propozimi për krijimin e një regjistri abuzuesish.

Ky instrument monitorues, i aplikuar në disa vende të Bashkimit Evropian ka si qëllim identifikimin nga çdo qytetar me emër, mbiemër dhe foto të personave të dënuar më parë për këtë kategori krimesh.

Shqetësimi i adresuar në institucionet ligjvënëse vjen pasi sot rreth 100 persona të dënuar për abuzime seksuale, janë në liri.

Radari.al