Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës, Artan Lame, së bashku me drejtoreshën e Kadastrës së Durrësit, Rajmonda Dashi kanë dorëzuar dokumentin e legalizimit banorëve për tre pallate të braktisur nga investitorët. Banorët e tre pallateve prisnin certifikatën e pronësisë prej rreth 15-20 vjetëve.

Lame ju ka bërë thirrje Bashkive në përgjithësi, dhe në rastin konkret edhe asaj të Durrësit, që të mos japin më leje ndërtimi për investitorët që nuk e çojnë deri në fund procesin për hipotekimin e pallateve që ndërtojnë. “Do i bëja një thirrje të fortë Bashkive në përgjithësi dhe konkretisht Bashkisë Durrës, që nuk mund të vazhdohet t’ ju jepen leje të reja ndërtimi subjekteve ndërtuese, kur kanë lënë pas vetes halle të tilla me qytetarët”- theksoi kreu i Kadastrës.

Kërkesa për të mos ju dhënë leje ndërtimi ndërtuesve që shkelin rregullat dhe pasi shesin apartamentet u kthejnë shpinën qytetarëve, ka pasur për disa Bashki. 

“Në disa raste ne jemi përpjekur të bashkëpunojmë me Bashkitë duke ju dhënë listat e këtyre subjekteve dhe duke ju kërkuar në të njëjtën kohë që mos jepni leje ndërtimi pa mbyllur procedurat me objektet e vjetra. Në disa raste na kanë dëgjuar edhe në disa të tjera  jo, por po e përsëris publikisht kësaj here këtë thirrje bashkive. 

Mos jepni leje të reja ndërtimi këtyre subjekteve, pa mbyllur ato paraprakisht problemet që kanë lënë hapur me banorët objekte të tjera. Për më tepër, problematika që nuk i kanë krijuar banorët, por i kanë krijuar vetë subjekte me kate shtesë, me shtesa anësore, e kështu me radhë”, tha Lame.

Më tej ai shtoi se: “megjithëse ‘riskojmë’ të akuzohemi që po nxjerrim të dhëna personale, por do doja ti përmendja me emër këto tre subjekte”. Kjo është një mënyrë për të tërhequr vëmendjen e tyre dhe për të kuptuar që vërtet kësaj radhe na “i hodhën” në kuptimin që ne e vazhduam procedurën me banorët, por në rastet e tjera do veprojmë paraprakisht me Bashkitë para se të bëhet legalizimi duke i kërkuar “stop” këtyre subjekteve për leje ndërtimi, përpara se të mbyllim problemet e vjetra.

Në rastin konkret kemi të bëjmë me tre objekte: njëri është godinë 12 kate dhe 1 katë nëntokë subjekti ndërtues “Rekon Shpk” dhe investitor “V Ndërtimi”. Subjekti i dytë është godinë e kombinuar 6 kate plus 1 kat nëntokë, plus papafingo, subjekti ndërtues “Marina 2001”. Subjekti i tretë është godinë banimi 6 kate, 1 kat nëntokë dhe tarracë me subjekt ndërtues “Teuta Construksion” dhe kjo e vitit 2000.

Për të treja këto pallate,procedurat e legalizimit janë ndjekur direkt me banorët. Drejtori i Kadastrës tha se investitorët po tregohen të papërgjegjshëm duke i lënë banorët në mëshirë të fatit.

Radari.al