Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me përfaqësuesit e senateve të nxënësve të gjimnazeve të Shqipërisë, për prezantimin e buxhetit për fëmijët dhe të rinjtë. Brenda një muaji kreu i qeverisë ka realizuar takime me nxënës nga 54 gjimnaze e 3 universitete, të 17 njësive të vetëqeverisjes vendore, duke u takuar me afro 800 të rinj, nga veriu në jug.

Në buxhet është akorduar fondi deri në 1.2 miliardë lekë për blerjen e afro 300 objekteve për laboratorë fizike, kimie, biologjie dhe 1.7 miliardë lekë për 550 pajisje kompjuterike. Po ashtu dhe fond prej 500 milionë lekësh për 50-60 pajisje mobilierie dhe blerje librash me një total prej 60 milionë lekësh.
Kryeministri tha se për herë të parë, ka një financim të posaçëm prej 500 milionë lekësh nga buxheti i shtetit, në fushat: arte, zeje, teknologji dhe sporte.

Në këtë mënyrë financimi prej 240 milionë lekësh për “Projektin e Kodimit të Betaplan” ka si qëllim aftësimin për punësimin digjital të të rinjve, por edhe për tërheqjen e investimeve të huaja. Synimi kryesor është transformimi i Shqipërisë në një qendër të rëndësishme teknologjike rajonale, prandaj është vendosur përfshirja e kodimit që në klasën e parë. Përmes investimit në qendrat e kodimit do të rritet numri i koduesve të nevojshëm që Shqipëria të mbushë hendekun me konkurrentët rajonalë dhe me vendet e BE-së.

Gjithashtu ka një fond prej 700 milionë lekësh në kuadër të Tiranës si “Kryeqyteti i Rinisë për vitin 2022”, ku synohet stimulimi i të rinjve për të qenë pjesë e aktiviteteve që kërkojnë potencialin e tyre. Fëmijët dhe të rinjtë kanë mundësi që përmes këtyre programeve të reja, të zbulojnë, shfaqin e zhvillojnë talentin e tyre. Për herë të parë përveç lëndëve bazë që zhvillohen në shkollë, nxënësit do të kenë mundësinë që të përfshihen në veprimtari lidhur me krijimtarinë, artet e sportet. Kjo, pasi synohet edukimi dhe zhvillimi i të rinjve shqiptarë sipas standardeve e mundësive globale, që të mund të jenë konkurues dhe të barabartë me rininë e çdo vendi në botë.

Radari.al