Nëse ju pëlqen puna në grup sepse ndjeheni më produktiv, jeni shumë të shoqërueshëm dhe nuk rezervoheni,  atëherë ju keni një personalitet të ekstrovertit – njerëzit ekstrovertë kanë kryesisht këto tipare.

Për dallim nga introvertët të cilët e duan më shumë punën individuale, ekstrovertët motivimin e gjejnë edhe nga njerëzit e tjerë. Ekstrovertët konsiderohen njerëz shumë entuziastë, komunikativë, shumë të shoqërueshëm dhe që e duan qendrën e vëmendjes. Kësisoj, profesionet të cilat lidhen më njerëz, u përshtaten më së miri personaliteteve ekstroverte.

KosovaJob sjell disa profesione, në të cilat njerëzit ekstrovertë mund të krijojnë karrierë shumë të suksesshme.

Rekruterë, këshilltarë të burimeve njerëzore. Ekstrovertët kanë aftësi shumë të mira të komunikimit. Atyre iu pëlqen të njohin njerëz të rinjë dhe të bashkëpunojnë me ta. Ekstrovertët ndjehen mirë edhe duke ndihmuar të tjerët. Prandaj, ky profesion u përshatatet shumë mirë sepse vazhdimisht do të takojnë njerëz të rinjë dhe vazhdimisht do të jenë në komunikim me të tjerët.

Zyrtarë për marrëdhënie me publikun. Të jesh një zyrtar për marrëdhënie me publikun do të thotë se do të mund të ndërtosh ura me profesionistë të mediave dhe të përfshihesh në aktivitete të ndryshme. Derisa një introvert do ta kishte shumë më të vështirë të dilte dhe të fliste para një audience, ekstrovertët mund ta bëjnë këtë shumë lehtë. 
Përfaqësues të shitjeve. Puna në shitje po ashtu kërkon aftësi të mira të komunikimit. Përfaqësuesit e shitjeve takohen me klientë për të diskutuar përfitimet dhe shitjen e produkteve. Ata demonstrojnë produkte, artikuj dhe u përgjigjen pyetjeve, negociojnë çmimet dhe kontratat dhe këtë duhet ta bëjnë me klientë të ndryshëm.

Infermierë. Një tjetër karakteristikë e ekstrovertëve është dëshira për t’i ndihmuar të tjerët, pra të jenë altruistë.  Duke marrë parasysh këtë, puna si infermierë mund t’u shëbejë shumë ekstrovertëve. Ata do të dinë si t’i këshillojnë dhe trajtojnë pacientët.

Mësuesit. Për introvertët, mendimi për të qëndruar para një klase nuk është shumë i rehatshëm, ndërkaq një ekstrovert ka dëshirë të jetë në qendër të vëmendjes. Mësuesit kanë aftësi për të bashkëpunuar dhe komunikuar me një shumëllojshmëri të njerëzve, që nga nxënësit e tyre të rinjë deri tek të moshuarit e tjerë.

Aktorë. Një aktor duhet të jetë komunikativ, të jetë i aftë për t’u shprehur.  Padyshim që kjo nuk është një punë për introvertët por vetëm për ekstrovertët të cilët duhet të performojnë para turmave të mëdha.

Radari.al