Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) përmes një njoftimi në uebfaqen e saj, u ka bërë thirrje kompanive në Kosovë që të aplikojnë për autorizim si operatorë ekonomik me të drejtë shitjeje, instalimi dhe mirëmbajtje të Pajisjeve Elektronike Fiskale të çfarëdo lloji.

Për të përfituar statusin e Operatorëve të autorizuar për furnizim, instalim dhe mirëmbajtje të Pajisjeve Elektronike Fiskale (PEF), kompanitë mund të aplikojnë në çdo kohë vetëm sipas kritereve të publikuara nga ATK-ja, si dhe mund të aplikojnë për autorizim të një apo më shumë modeleve specifike të këtyre pajisjeve elektronike, si arkë fiskale, printerë fiskal apo edhe sistem fiskal të derivateve.

Kushtet që duhet plotësuar dhe dokumentet që duhet të dorëzohen për aplikim mund t’i gjeni në ueb faqen e ATK-së, shkarko Kushte Administrative. Aplikimin mund ta bëni edhe përmes sistemit të ATK, mirëpo kërkesa së bashku me dokumentet tjera origjinale duhet të dorëzohen fizikisht në zyrën e Arkivit në ATK.

Në anën tjetër, tregu i arkave fiskale në Kosovë deri më tani praktikisht është dominuar nga një kompani e vetme.

Bizneset në Kosovë tani për tani printerin fiskal mund ta blejnë vetëm tek një kompani prej katër sa janë të licencuara për shitjen e arkave fiskale nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK).

Këtë eksluzivitet e ka vetëm kompania “Enternet”, e cila përveç kësaj ka pronarin e njëjtë me kompaninë tjetër të arkave fiskale – “Gekos”.

Radari.al