Ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca ka ashpërsuar sot tonet ndaj klasës politike shqiptare dhe ka kërkuar më shumë punë për të arritur objektivat evidentuara në progres-raportin e BE.

I pranishëm në Këshillin Kombëtar të Integrimit, ku u mblodh për hapjen e Shkollës së Integrimit Europian 2021, Soreca tha se klasa politike duhet të dyfishojë përpjekjet për integrimin duke pasur si udhërrëfyes progres raportin e KE. Soreca u shpreh se BE mbështet integrimin e Shqipërisë dhe për këtë arsye kontribuon çdo vit me 100 mln euro, para, donacione apo grante për transformimin e të gjithë sektorëve të shoqërisë.

“Rekomandimet që jepen në raportin e KE identifikojnë fushat për të cilat duhet të ketë më shumë punë, si historiku për luftën kundër krimit dhe korrupsionit, liria e medias dhe të drejtat e pakicave janë një udhërrëfyes jo vetëm për qeverinë  por dhe gjithë institucionet që të fokusohen gjatë javëve në vijim. Shqipëria duhet të dyfishojë përpjekjet e saj, të ketë atë shndërrim socio-ekonomik që i duhet vendit dhe të bëhen bashkë të gjithë aktorët nga pjesët e ndryshme të politikës në Shqipëri dhe gjithë segmentet e shoqërisë dhe kjo është vlera e shtuar që sjell Këshilli Kombëtar. Procesi i integrimit po ndodh çdo ditë këtu në Shqipëri. BE mesatarisht i jep Shqipërisë çdo vit 100 mln euro duke kontribuar për këtë transformim  të gjithë sektorëve të shoqërisë. Ky investim që gjatë 15 viteve të fundit ka arritur shifrën 1.5 miliard euro në grante, donacione, para të dhëna, ka ndërtuar infrastrukturën madhore të Shqipërisë”, tha Soreca.

Shkolla e Integrimit Europian 2021 synoi të identifikojë dhe angazhojë aktorë të spikatur nga të gjitha institucionet, organizatat e shoqërisë civile dhe grupet e interesit, duke krijuar një grup të konsoliduar ekspertësh me njohuri të thella mbi procesin e integrimit europian, të cilët mund të kontribuojnë në procesin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian (BE).

Radari.al