Për herë të parë Bashkia e Tiranës do të subvencionojë përmes një pakete prej 1 mln eurosh shërbimin e transportit publik me qëllim përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve.

Në një intervistë, Drejtori i transportit publik Enton Punavija sqaron se kjo paketë ndihme është e lidhur dhe me rritjen e transparencës nga ana e kompanive që ofrojnë këtë shërbim, duke instaluar në mjetet e tyre pajisje GPS.

“Një paketë është që në kushte emergjente t’i kërkojmë qeverisë rimbursimin e akcizës sa i takon pjesës së karburantit, rivlerësim të pjesës së tvsh. Nga ana tjetër mendoj se është bërë një hap i rëndësishëm ku pas 20 vitesh bashkia ka një paketë prej 1 mln euro për të rikthyer kontratën në kushtet e transporti para pandemisë kjo është e rëndësishme për të rikthyer besimin tek qytetarët. 1 mln euro do të mbulojë periudhën përgjatë gjithë vitit 2022. Por ndërkohë kjo paketë financiare nuk lidhet thjesht që po japim një paketë financiare. Kjo është e lidhur ngushtësisht me kushtet e shërbimit, me instalimin e pajisjeve teknologjike, kryesisht GPS që do të konfirmojë kilometrat e përshkruar, kapacitetin. Nga njëra anë kemi subvencionin dhe nga ana tjetër kemi shërbim sipas kushteve të kontratës”, tha Punavija.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj takoi sot përfaqësuesit e operatorëve të transportit urban, me të cilët u ra dakord për përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve, si dhe pranimin e një pakete të propozuar nga Bashkia e Tiranës për kalimin e situatës së vështirë.

Operatorët pranuan kërkesat e bashkisë për rritjen e standardit të shërbimit, vendosjen e GPS dhe formalizimin e shitjes së aboneve.

Radari.al