Kryeministri Edi Rama mblodhi dje në Tiranës të gjithë kryebashkiakët, ku nuk kurseu kritikat për menaxhimin e situatës së mbetjeve në disa bashki të caktuara. Sipas tij, pamjet e pirgjeve me mbeturina ishin bërë ndërkombëtare.

Ultimatumi i tij publik ishte i qartë: Përmirësohuni ose bashkitë i kalojnë qeverisë, kryebashkiakët shkojnë para ligjit.

Pa u bërë ende 24 orë nga ky “dush i ftohtë” i Ramës për kryebashkiakët, në Laç ka marrë flakë vendgrumbullimi i mbetjeve. Shtëllungat e mëdha të tymit janë përhapur në të gjithë zonën, ndërsa ekipet zjarrfikëse po përpiqen për shuarjen e flakëve.

Kryebashkiakja e Kurbinit Majlinda Cara, për mediat është shprehur se institucioni që ajo drejton nuk i dërgon aty mbetjet prej më shumë se 1 viti. Sipas saj, zjarri në këtë vendgrumbullim është i qëllimshëm.

“Rreth orës 11:30 të natës njoftohemi për një zjarrvënie në një ish vend grumbullim mbeturinash. Prej një viti e gjysmë mbetjet nuk hidhen më aty por shkojnë në landfillin e Bushatit. Ky vendgrumbullim këtu ka qenë i mbyllur prej një viti e gjysmë. Morëm masa për shuarjen e zjarrit dhe aktualisht po punohet intensivisht. Kjo është një zjarrvënie e qëllimshme.

Laçi është një qytet i pastër. Ky vend depozitim u mbyll sapo erdha unë në krye të bashkisë.

Bashkia Kurbin çdo ditë kemi marrë masa për ta pastruar këtë vendgrumbullim, duke i hedhur kamionë me mbetje për dekompozimin e tyre. Brenda ditës së sotme mbyllim gjithçka këtu pasi jemi të gjithë në punë”, ka thënë kryebashkiakja Majlinda Cara.

Radari.al