Në mbledhjen e parë që nga nisja e punës së qeverisë së re, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi 17 vendime, mes të cilave lejen e ndërtimit për linjën hekurudhore Tiranë-Durrës, atë për centralin fotovoltaik të Qyrsaqit si dhe lejen per ndertimin e Portit te Jahteve ‘Marina Rodon’.

Linja hekurudhore Tiranë-Durrës dhe lidhja e saj e re me Rinasin do të zbatohet nga kompania INC spa, e cila u shpall fituese një vit më parë ndërkohë që autoriteti kontraktor mbetet Hekurudha Shqiptare. Kostoja totale e projektit është 92.1 milionë euro, nga të cilat 35.5 milionë euro grant mbulohet nga Kuadri i Investimeve i Ballkanit Perëndimor dhe 36.9 milionë euro është i mbuluar nga kredia e BERZH, ndërsa pjesa e mbetur do financohet nga qeveria shqiptare.

Sa i takon ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike dhe fotovoltaike në digën e Qyrsaqit në Kaskadën e Drinit, autoriteti publik që ka aplikuar është Korporata Elektroenergjetike Shqiptare. Për KESH ky projekt do të jetë i dyti që do të zbatohet me një kapacitet të instaluar 5.1 Megavat ndërkohë që më herët Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim aprovoi mbështetjen për projektin 12.9 megavat në vlerën 9.1 milionë euro.

Ndërkohë porti i jahteve “Marina Rodon” është parashikuar të ndërtohet  në vijën bregdetare jugore të Gjirit të Drinit, rreth 7 km larg Kepit të Rodonit. Kohëzgjatja e kontratës së koncesionit eshte 35 vjet është shpallur fitues bashkimi i operatorëve “Praslin Investment” dhe “R&T” sh.p.k. Këta dy operatorë janë angazhuar sipas dokumenteve që të investojnë 883 milionë lekë për këtë port.

Radari.al