Emërimi i Gledis Nanos dhe dorëheqja e ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu në krye të kësaj structure, është pasuar me një sërë arrestimesh në radhët e Policisë së Shtetit.

Bëhet fjalë për hetime të nisura më herët, por që u finalizuan pas ardhjes në detyrë të Nanos.

Nga Tirana në Korçë, Lezhë dhe Pukë, “furtuna” e arrestimeve ka shkundur Drejtoritë e Policive.

Brenda një harku kohor prej 24 orësh, operacionet policore kanë vënë në pranga 15 efektivë dhe kanë çuar në pezullim detyre për 6 të tjerë, në disa qytete të vendit si dhe është shpallur në kërkim një efektiv i Drejtoris së Policisë së Lezhës.

Mbrëmjen e djeshme, nga një operacion hetimor i SHÇBA, janë vërë në pranga 5 efektivë policie, të akuzuar për “Shpërdorim detyre “ dhe favorizim të “Kultivimit të bimëve narkotike”. Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan  Zamir Mehaj, 48 vjeç, Alfred Ndoj, 32 vjeç, Fatmir Alija, 50 vjeç, Petrit Florini, 49 vjeç si edhe N/Komisar Kastriot Bicukaj, 29 vjeç.

Një tjetër operacion që bëri bujë ishte ai i arrestimit të 10 oficerëve të policisë në kryeqytet, të akuzuar për Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikim dokumentesh”. Hetimi për ta u krye nga SHBÇA dhe Prokuroria e Posaçme, SPAK.

Jo pak zhurmë bëri edhe operacioni i finalizuar në Korçë, i cili çoi në pezullimin nga detyra të 6 efektivëve, mes tyre edhe shefi i komisariatit,  Krenar Gjokutaj si dhe shefi i qarkullimit , Kelmend Pikuli.

Pas disa përgjimeve të dala në dritë, për policët e pezulluar rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës, për mosmarrje të masave administrative, në kuadër të konstatimit të shkeljeve nga ana e tyre.

Dje, në një deklaratë të tij me drejtuesit e rinj të Policisë, Gledis Nano, Drejtori i Përgjithshëm i Poicisë, tha se nuk do të tolerohet asnjë punonjës policie që neglizhon detyrën apo bëhet palë me krimin.

Disa punonjës policie brenda strukturës nuk mund ta prishin imazhin e Policisë së Shtetit, duke zhbërë punën e mirë që është bërë deri tani, ashtu sikurse disa individë të tjerë nuk mund ta sfidojnë Policinë”, theksoi më herët Nano.

Radari.al