Fillojnë punimet tek godina e vjetër e ish maternitetit. Me financues qeverinë shqiptare nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit, kjo godinë do të kthehet në një qendër zhvillimi për turizmin. Transformimi i kësaj godine do të jetë totale. Kjo qendër turizmi do të shërbejë për koordinimin midis operatorve turistik krijimin e një sinergjie midis tyre, rritjen e kapaciteteve dhe promovimin e turizmit. Qendra do të jetë multifunksionale pasi do të përmbajë sallë konferencash si dhe facilitete për studentët. Kohëzgjatja e punimeve për këtë qendër turizmi është rreth 12 muaj duke i paraprirë kështu edhe sezonit dimëror, periudhë kjo e cila tërheq mjaft turistë në qytetin e Korçës. Vlera totale e projektit është rreth 335 milion lekë.

Vitet e fundit turizmi në Korçë ka njohur një zhvillim të madh duke patur një shtrirje në të 4 stinët e vitit. Këtë fundvit qyteti i Korçës së bashku me Dardhën dhe Voskopojën kanë qënë destinacionet e preferuara turistike si për vizitorët vendas por edhe të huaj.

Qendra e turizmit në Korçë është e treta në rang vendi pas qendrës së zhvillimit të turizmit në Valbonë dhe në Vermosh.

Radari.al