Partitë në Maqedoninë e Veriut, si ajo në pushtet, por edhe opozita kanë shpallur fitoren në zgjedhje.

Megjithatë, kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Aleksandar Dashtevski, ende nuk ka shpallur një rezultat final. Në një prononcim për mediat, në mesnatë ai u shpreh:

“Do t’i presim procesverbalet nga komisionet komunale zgjedhore të vijnë dhe për këtë arsye ne do të qëndrojmë në punë. Në rastin e parë të mundshëm, ne do të caktojmë një konferencë të re për shtyp në të cilën do të kemi rezultate më konkrete”.
Deri tek Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve gjatë ditës së djeshme kanë arritur gjithsej 286 ankesa për mbrojtjen e të drejtës së votës, nga të cilat 217 u pranuan, 19 u refuzuan, 34 ishin të pabaza dhe 16 ankesa ishin në proces të përpunimit.

LSDM-ja shpalli fitore në rrethin e parë ose një epërsi serioze në më shumë se 30 komuna dhe Qytetin e Shkupit. Në komunat ku kandidatët e tyre shkojnë në raundin e dytë, ata presin mbështetje serioze nga partnerët e koalicionit të cilët performuan në mënyrë të pavarur në rrethin e parë.
“Koalicioni i progresit po merr mbështetje serioze në raundin e dytë. LSDM hyn në raundin e dytë në 36 komuna dhe Qytetin e Shkupit. Po hyjmë në betejë për fitore përfundimtare në të gjitha komunat e mbetura. Jam i bindur se në fund LSDM dhe Koalicioni do të kenë kryetarë komunash në më shumë komuna krahasuar me
VMRO-DPMNE dhe Koalicionin e tyre”, tha Zaevi.

Ai theksoi se koalicioni i partive që përbëjnë pushtetin qendror, ai është koalicioni qeveritar i përbërë nga LSDM, BDI, PLD, RDM, Besa, PDSH, Lidhja Boshnjake dhe parti të tjera, do të bashkohet dhe, siç tha, “do të hyjë në luftën për shumicën në numër më të madh të tashmë këshillave të zgjedhur në komuna në vend”.

Radari.al