Bizneset retail (shitjes me pakicë) kanë rritur tendencën e krijimit të rezervave, për shkak të shtrenjtimit të çmimeve të produkteve ushqimore në tregjet e huaja. Pritja është më e lehtë te konsumatori. Supermarketet pohojnë se nuk ka shfaqje të sjelljes konsumatore si në muajt e karantinës.

Rritja e çmimeve ka shtuar tendencën e bizneseve të shitjeve me pakicë për grumbullimin e mallit, pasi pritet shtrenjtim i produkteve ushqimore. Supermarketet pohojnë se kjo është një sjellje e natyrshme në situata të ndryshimeve të çmimeve. Tendenca e konsumatorit për të krijuar rezerva është shfaqur më e lehtë.

Sipas kompanive më të mëdha të tregtimit të mallrave ushqimore, rritja e çmimeve për disa produkte, si vaji i lulediellit, mielli apo niseshteja, ka nisur që në muajt e verës. Për produktet e tjera të shportës si orizi, makaronat dhe thjerrëzat, rritja e çmimeve nisi nga shtatori.

Ndryshimin më të shpeshtë e ka pasur produkti i vajit të lulediellit, ku pas shtrenjtimit në muajt qershor dhe shtator, çmimi është rritur edhe në fillim të tetorit. Arsyeja e rritjes së çmimit të vajit të lulediellit të ambalazhuar është rënia e ofertës në tregjet e huaja dhe shtrenjtimi i kostos së transportit. Përfaqësuesit e kompanive thonë se në tërësi, rritja e çmimeve është ndikuar nga ndryshimi i çmimeve të produkteve ushqimore të importit.

Në muajin korrik u rritën deri në 10% edhe çmimet e produkteve të bulmetit, për shkak të shtrenjtimit të plastikës dhe çmimit të energjisë elektrike, që bizneset e blejnë në tregun e liberalizuar. Përpunuesit e qumështit gjenden sërish para vështirësisë për rritje tjetër të kostove, pasi ata janë njoftuar për të paguar çmim më të shtrenjtë të energjisë elektrike, gazit dhe naftës. Rritja e çmimeve ka nisur edhe për mobiliet, për shkak të shtrenjtimit të lëndës së parë të importit. Shtrenjtimi i mobilieve nuk ka ndikuar te rënia e kërkesës.

Radari.al