Qytetarët e Kosovës zgjedhin sot kryetarët e ardhshëm të komunave, si dhe përfaqësuesit e tyre në Këshillat Komunale. Për këto zgjedhje lokale të drejtë vote kanë 1 885 448 persona, që do të votojnë në 883 vendvotime.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), për kryetarë të komunave të Kosovës janë certifikuar 166 kandidatë.

Në garën për asamblistë në kuvendet e të gjitha komunave janë certifikuar 5,198 kandidatë.

Në këto zgjedhje, qytetarët mund të votojnë për kryetarin e komunës dhe një asamblist. Qendrat e votimit janë hapur në ora 07:00 dhe pritet të mbyllen më 19:00.

Të drejtën e votës për herë të parë mund ta shfrytëzojnë 41,012 persona.

Në zgjedhjet e kaluara lokale, të mbajtura më 2017, më së shumti komuna pati fituar Lidhja Demokratike e Kosovës, në total tetë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, shtatë, Partia Demokratike e Kosovës, pesë, Lëvizja Vetëvendosje tri, ndërsa Nisma Socialdemokratike dhe Aleanca Kosova e Re nga një komunë.

Nga komunitet joshumicë, më së shumti komuna pati fituar Lista Serbe, 10 të tilla, derisa Partia Demokratike Turke, një komunë. Dy komuna janë udhëhequr nga kandidatë të pavarur.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar të gjithë qytetarët me të drejtë vote për masat që duhet t’i zbatoni në ditën e zgjedhjeve.

Për të votuar duhet të mbani maskë mbrojtëse duke mbuluar hundën dhe gojën;

Mbani distancë fizike 2 metra derisa prisni në radhë për të hyrë në qendër të votimit dhe në vendvotim;

Gjatë hyrjes në vendvotim dezinfektoni duart;

Pas dezinfektimit të duarve, prezantoni dokumentin e identifikimit dhe hiqni maskën mbrojtëse me qëllim që të identifikoheni nga anëtari i vendvotimit;

Pas identifikimit, rivendoseni maskën;

Pas kësaj ju duhet të merrni fletëvotimet dhe të hyni në kabinën e votimit për të votuar dhe në fund vendoseni fletëvotimet në kutitë përkatës;

Në dalje të vendvotimit ju duhet t’i dezinfektoni sërish duart.

Radari.al