Ish-nënkryetarja e Partisë Demokratike, njëherësh ish-kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli ka komentuar situatën brenda PD, ndërsa ka shpërthyer në sulme dhe akuza të forta në adresë të kryedemokratit Lulzim Basha. Teksa ishte e ftuar në një studio televizive, zonja Topalli theksoi se përjashtimi i Berishës shënoi kulmin e paligjshmërisë së Bashës si drejtues i Partisë Demokratike, pasi sipas saj, me këtë vendim ai shkeli statutin e partisë. “Të përjashtosh ish-kreun e PD, themeluesin e PD, ish-presidentin, ish-kryeministrin, njeriun që ka bërë opozitën më të fortë gjatë kësaj periudhe pa mbledhur forumet dhe pa pasur një vendimmarrje të tyre, thjesht nje deklaratë të personit të tij, është e shëmtuar, antiligjore, nul në gjithë gjënë e vet. Ka sjellë një moment ku çdo gjë ka arritur pikën e saturimit brenda asaj force që prej vitesh jetonte njëfarë delegjitimimi që funksiononte në një vendimmarrje personale apo familjare të Lulzim Bashës. Sigurisht do të vinte një moment ku gota do të derdhej, do hapej një kapitull i ri për të larguar njeriun që ka marrë peng opozitën shqiptare. Njeriu që është dështaku më i madh i historisë politike të këtyre 30 viteve”, deklaroi ajo. Ndërkohë ish-nënkryetarja e PD, Jozefina Topalli ka komentuar edhe debatin Basha-Rama të ndodhur dy ditë më parë në Kuvend, duke e cilësuar një shfaqje teatrale banale. Sipas Topallit, Basha ndër rreshta i kërkoi llogari Ramës se pse nuk e arrestoi Sali Berishën përgjatë këtyre 8 viteve qeverisje. “Mjafton t’i rikthehemi asaj që kemi parë dje në Parlament, ishte gjëja më e shëmtuar që një njeri mund të shohë, një shfaqje teatrale që ishte dhe banale. Po të lexosh mes rreshtave, këta dy miq me njëri-tjetrin po luanin një teatër shumë të shëmtuar. Mes rreshtave Lulzim Basha po i kërkonte llogari atij pse nuk ke futur në burg Sali Berishën, ja kërkonte Edi Ramës. Pastaj quante bazën e tij dhe gjithë kontributorët dhe anëtarësinë e PD i quante llum ashtu siç i kishte quajtur anti-amerikanë”, nënvizoi Topalli.

Radari.al