Kryeministri Edi Rama ka dhënë të tjera sinjale se është i gatshëm të ndajë pushtetin me opozitën. Pas mbledhjes së Kryesisë, kryeministri u pyet nga gazetarët për mundësinë e një bashkëqeverisje PS-PD, ku deklaroi se është i gatshëm të thyejë çdo barrierë që koha dhe inercia kanë vendosur. Rama tha se PS nuk erdhi në pushtet vetëm nga votat e socialistëve, por nga shumica e qytetarëve. Sipas kryeministrit PS është në një proces reflektimi për të kuptuar se përmirësimi është domosdoshmëri për një forcë politike. “PS është në një proces reflektimi, sepse proceset e reflektimit na kanë ndihmuar të kuptojmë se vetë përmirësimi është një domosdoshmëri për një forcë politike që merr përsipër të drejtojë vendin. Ne jemi sot përsëri në qeveri si një forcë e vetme, por ne nuk duhet të harrojmë për asnjë moment se në qeveri ne nuk na kanë sjellë thjesht votat e anëtarësisë tonë, por na kanë sjellë votat e një shumice dërrmuese shqiptarësh dhe atyre shqiptarëve ne duhet t’u japim në radhë të parë shansin që të përfshihen në familjen tonë politike, duke i thyer të gjitha ato barriera që koha i vendos dhe që inercia i mban aty. Dhe në anën tjetër t’u japim mundësi të gjithë shqiptarëve të ndjehen mirë, sepse bëjmë gjithmonë më të mirën tonë”, tha Rama. Kryeministri po ashtu theksoi se punësimet dhe drejtoritë nuk janë pronë e PS, por e popullit shqiptar teksa deklaroi se proceset e rekrutimit janë procese ligjore dhe me integritet. Sipas tij, në administratë çdokush do të marrë atë që meriton dhe të gjithë duhet të jenë të angazhuar dhe të prerë për këtë. “Ajo që do të nënvizoja si shumë të rëndësishme nga kjo mbledhje është se punësimet dhe drejtoritë nuk janë pronë e PS, por e popullit dhe funksion i qeverisë dhe i të gjitha institucioneve bazuar në Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Nëse në shërbimin civil tanimë kemi garantuar se proceset e rekrutimit tashmë janë procese ligjore, procese me integritet dhe si rezultat i këtyre proceseve shumë kanë mundur të marrin atë që i takon. Për këtë jemi të prerë dhe duhet të angazhohemi të gjithë”, tha ai.

Rama flet për satelitët

Kreu i qeverisë foli edhe për satelitët që Shqipëria do të ketë. Ai deklaroi se satelitët garantojnë kontrollin e territorit për luftën kundër trafiqeve dhe për të luftuar krimin e organizuar. Sipas tij, satelitët do të merren me çështje civile të vendit jo të ofensivave ushtarake. “Shqipëria do të ketë satelitë dhe do ketë shpejt për të forcuar kontrollin mbi të gjithë territorin e saj në të gjithë aspektet. Janë mjete të një teknologjie të re që garantojnë kontrollin e territorit për shumë gjëra, që nga kufijtë, ndërtimet, monitorimi për informacionet që duhen në luftën kundër trafiqeve, për të mbjellat e bujqësisë dhe për të luftuar krimin e organizuar duke patur kapacitete monitoruese të paimagjinueshme. Në Shqipëri do të jetë një përdorim për çështje që kanë të bëjnë me punët civile të vendit dhe luftën kundër krimit, jo për çështje të ofensivave ushtarake”, u shpreh ai.

Radari.al