Partia Socialiste ka dorëzuar në Kuvend propozimin për të shtyrë me 2 vite afatet e vetingut. Propozohet që afatet e vetingut të shtyhen deri më dhjetor të vitit 2024. Kjo është bërë e ditur nga kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Ai u shpreh, se PS depozitoi në Kuvend kërkesën për shtyrjen e afateve të vetingut, po ashtu edhe atë për shtyrjen e afateve për Komisionerin Publik. Ai theksoi, se kërkohet që procesi të shtyhet me 2 vite, të cilat sipas tij, janë të mjaftueshme për të përfunduar procesin e vetingut. “Doja të ndaj me ju faktin që dje Grupi Parlamentar i PS ka marrë vendimin për të depozituar në Kuvendin e Shqipërisë nismën e një grupi prej më shumë se 1/5 e anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë për të filluar një procedurë të ndryshimit të Kushtetutës me qëllim që ti hapim rrugë zgjatjes së mandatit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe të Komisionerëve Publikë, si niveli i parë i procesit të vetingut, duke e shtyrë procesin e vetingut, pra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit deri më 31.12.2024, duke shtuar edhe 2 vite të tjera, të cilat unë besoj se janë të mjaftueshme për ta përmbyllur procesin e vetingut”, tha ai. Ndër të tjera, Balla u shpreh se është e rëndësishme që procesi të vazhdojë pasi kjo, do të sjellë edhe pastrimin e sistemit të drejtësisë nga njerëzit e korruptuar. “Ashtu sikurse tha edhe kryeministri Rama pas mbledhjes së Kryesisë së PS, kjo është një vijueshmëri e reformës në drejtësi, është një çështje sa teknike aq edhe shumë e rëndësishme, sepse ruajtje e të njëjtit standard në procesin e vetingut për të vazhduar pastrimin e sistemit të drejtësisë nga ata gjyqtarë apo prokurorë, të cilët nuk justifikojnë dot pasurinë e tyre dhe nuk kanë përgatitjen e duhur profesionale ose për pastërtinë e figurës së tyre dhe i zbulimit të çdo lloj lidhjeje kriminale apo lidhje të tjera”, tha ai. Por duket se tani gjithçka është në dorë të opozitës, pasi pa votat e saj nuk ka shtyrje afatesh.

Rama flet për shtyrjen e afateve të vetingut

Ndërkohë edhe kryeministri Edi Rama në një prononcim për gazetarët foli sa i përket shtyrjes së afateve të vetingut. Ai u shpreh, se zgjatja e mandatit për organet e vetingut është një domosdoshmëri dhe se reforma në drejtësi është diçka për t’u kryer dhe se nuk ka kthim pas. I pyetur nëse ka një bashkëpunim mes tij dhe kreut të PD-së, Lulzim Basha në lidhje me votimin për të zgjatur afatin e vetingut, kreu i qeverisë tha, se kjo reformë është në partneritet me ndërkombëtarët, BE dhe SHBA-në dhe kush i del kundër, u del kundër partnerëve ndërkombëtarë. “Zgjatja e mandateve të organeve të vetingut është një domosdoshmëri, e cila vjen si rezultat i një procesi që e ka treguar sesa i vyer që është për pastrimin e llumit nga sistemi i drejtësisë dhe për të nxjerrë në pah njerëzit me integritet dhe ky proces nuk mund të ndërpritet. Reforma në drejtësi është një reformë në partneritet me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe besoj se vija është shumë e ndarë. Reforma në drejtësi nuk është diçka për t’u negociuar është diçka për t’u kryer. Kush i bie ndesh interesave të reformës në drejtësi i bie ndesh vendit dhe aleatëve ndërkombëtarë”, tha Rama.

Radari.al