Ish-ministri i Financave, Arben Malaj dje në një dalje televizive foli rreth deklaratave të kryeministrit Edi Rama për satelitët. Malaj tha se kjo gjë është e papranueshme teksa u shpreh se këtë shërbim mund ta marrim me kosto më të ulëta me anë të një kompanie. Po ashtu ai u ndal edhe tek kriza energjitike për të cilën u shpreh se Rama përhapi shumë panik dhe nuk duhet ta bënte. Sipas tij, duhet më shumë transparencë dhe jo panik. “Është e papranueshme që ne të mendojmë që Shqipëria duhet të dërgojë satelitë, ne mund ta marrim këtë shërbim nëpërmjet një kompanie që e bën këtë për shumë vende dhe i ka kostot shumë të ulëta. Kështu që Rama në këtë rast duhet të sqarojë idenë për satelitët. Kriza energjitike është shumë dimensionale, ka faktorë gjeopolitikë që mund të ndryshojë. Gjithashtu ka edhe ndërgjegjësim që nuk mund të përdorësh gaz për të ndotur ambientin, pra shumë ka faktorë. Paniku që na solli Rama për krizën energjetike si të dërguar nga Zoti si tërmeti apo pandemia. Duhet më shumë transparencë. Asnjë kryeministër në botë nuk i lejohet të krijojë panik sepse ata jetojnë më mirë në krizë pa panik”, tha ai. Po ashtu Malaj kritikoi programin e Ramës për të cilin u shpreh se është i paqartë dhe i paditur. Ai tha se shqiptarët duhet të dinë sa duhet të subvencionojë qeveria për energjinë teksa ripërsëriti thirrjet për transparencë. Sipas tij, ka mungesë transparence dhe sistemi i mbrojtjes sociale është i dobët. “Kriza ka filluar më shumë në konsumin e gazit, por duhet pasur parasysh është efekti zinxhir në të gjithë industritë dhe do të bëhet shumë dimensionale. FMN ka dy vjet që i kërkon qeverisë të heqë dorë nga projektet e mëdha. Shikoni programin e Ramës asnjë qindarkë nuk shkurton dhe kërkon të rrisë borxhin dhe subvencionet. Është i paqartë dhe i paditur. Shqiptarët duhet të dinë sa duhet të subvencionojë qeveria për energjinë. Qeveria të bëjë transparencë pasi këta e fshehin siç bëjnë me ndihmën e pandemisë. Ka mungesë transparence dhe sistemi i mbrojtjes sociale është i dobët”, u shpreh Malaj.

Radari.al