Pas 5 ngarkesave me banane ku u kap edhe kokainë, Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion ka sekuestruar kompaninë Alba Exotic Fruit. Mësohet se veç sekuestros, SPAK ka nisur edhe hetim pasuror ndaj kompanisë e cila ka aksioner kryesorë Eduart Dauti dhe vëllanë e tij tashmë të arretuar.

“Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është duke kryer hetime për procedimin penal nr.207/2021, regjistruar për veprat penale, “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim të veçantë  të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara përkatësisht nga nenet 283/a, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal. Hetimet e këtij procedimi penal lidhen me faktet e konstatuara të kapjes në disa raste të sasive të kokainës në ngarkesat e importuara në Portin e Durrësit nga subjekti juridik “Alba Exotic Fruit”.

Në kuadër të këtyre hetimeve, pas kërkesës së Prokurorisë Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur sekuestro preventive të subjektit “Alba Exotic Fruit”, bazuar në parashikimet e nenit 274 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë.

Gjithashtu, bazuar në parashikimet e ligjit nr.9754, datë 14.06.2007, “Për përgjegjësinë penale të personave juridik”, Prokuroria e Posaçme, ka regjistruar emrin e personit juridik “Alba Exotic Fruit”, si subjekt juridik i dyshuar për veprat penale, “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim të veçantë  të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 283/a,  28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal”, thuhet në njoftim.

Sasia më e fundit e kokainës kapur në kontenierët ku kjo kompani kishte marrë banane nga Ekuadori ishte më 12 tetor 2021 në vazhdim të operacionit “Rada“. Pronari kësaj kompanie Eduart Dauti është shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe ndaj tij ka një urdhër arresti ndërkombëtar.

Ajo që mbeti një mister ishte fakti se si prej korrikut kur u kap sasia e parë kjo kompani nga SPAK ishte ende aktive. Në 5 rastet e vitit 2021 në konteinierët ku ishin bananet policia e shtetit dhe SPAK sekuestroi afro 50 kg kokainë.

Më herët, ishte avokati i kësaj kompanie, Baftjar Rusi që kërkoi nëpërmjet një memo ndihmën e SPAK dhe ambasadës së SHBA-së për të gjetur trafikantët e vërtet të drogës. Pasi sipas tij, kompania Alba Exotic Fruit s‘kishte asnjë lidhje me kokainën dhe ishin grupet kriminale dhe konkurrentët e bananeve ata që drejtonin këtë trafik.

Historiku i kësaj kompanie me drogën

Hera e fundit që kjo kompani u kap me drogë ishte në 12 tetor ku gjetën 10 kilogramë e 185 gramë lëndë. Përveç rastit të 3 ditëve më parë, “Alba Exotic Fruit” është kapur me kokainë në konteinerët me banane edhe në 5 operacione të tjera. Në 7 shtator, ku iu kapën  7.7 kg kokainë. Ndërkohë më herët, në 13 korrik në Portin e Durrësit kësaj kompanie dhe u sekuestruan 11 kg e 675 gramë kokainë,  ndërsa 10 ditë më vonë, më 23 korrik u gjetën 6.5 kilogramë të tjera, të cilat ishin fshehur në kontejnerët e po të njëjtës kompani.

Më 29 korrik 2021 kompanisë iu gjetën dhe u sekuestruan 7.25 kilogramë kokainë po në vijim të operacionit “Rada”. Kompania ‘Alba Exotic Fruit’ rezulton e përmendur edhe më parë në ‘historinë’ me trafik droge ku në vitin 2019, në kontejnerët e kësaj kompanie, në Pire të Greqisë u gjetën 137 kg kokainë që u zëvendësua me oriz me GPS nga autoritetet. Për kokainën e ngarkuar në kontejnerët e ‘Alba Exotic Fruit’ në 2019 u arrestuan Altin Myslihaka dhe Ardian Begaj dhe u shpall në kërkim Gentian Malindi.

Radari.al